Një operacion i Policisë së Tiranës ka çuar në zbulimin e një laboratori të mirëorganizuar për falsifikimin e dokumenteve arsimore dhe profesionale në zonën e Zall-Bastarit.
Në pranga ka përfunduar 51-vjeçari Abas Tafa, banues në këtë zonë, i cili më herët ka qenë edhe kandidat për deputet në radhët e Koalicionit EuroAtlantik të drejtuar nga Lulzim Basha.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, efektivët e policisë kanë konstatuar një ambient të fshehtë të përshtatur si laborator, ku dyshohet se realizohej prodhimi dhe falsifikimi i dokumenteve të ndryshme.
Hetimet paraprake tregojnë se në këtë hapësirë përgatiteshin diploma të shkollave të mesme, diploma universitare, certifikime të programeve master, si dhe licenca profesionale, të cilat më pas dyshohet se shpërndaheshin kundrejt pagesës.
Autoritetet kanë sekuestruar prova materiale që lidhen me këtë aktivitet të paligjshëm, ndërsa po punojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë dhe për të zbuluar rrjetin e plotë të shpërndarjes.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore të të gjithë personave të implikuar.








