700 licenca stomatologësh me vulë të jashtëligjshme?
AMP konfirmoi se njëra u nxor me shkelje
Një hetim i Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur dyshime serioze mbi vlefshmërinë e licencave të rreth 700 stomatologëve në Shqipëri gjatë periudhës prill 2025 – prill 2026, duke vënë në pikëpyetje procedurat e ndjekura nga Urdhri i Stomatologut i Shqipërisë.
Sipas verifikimeve, vula e përdorur për këto licencime nga Almiro Gurakuqi rezulton të jetë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, konkretisht jashtë procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe një urdhër i vitit 2023 i Policia e Shtetit.
Si nisi kriza institucionale?
Zanafilla e situatës kthehet në vitin 2023, kur ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologëve, Nikoll Deda, u pezullua nga detyra me vendim gjykate, pas akuzave për abuzime financiare dhe shkelje në punësime. Ndaj tij u vendos më pas edhe masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa çështja kaloi për gjykim në nëntor 2024.

Nikoll Deda
Në këtë klimë paqartësie institucionale, më 9 prill 2025, Gurakuqi – në atë kohë president rajonal në Tiranë – i kërkoi Policisë së Shtetit pajisjen me një vulë të re për institucionin. Ai argumentoi se struktura drejtuese ishte e paralizuar: presidenti i pezulluar, zëvendëspresidentja në hetim, sekretari i përgjithshëm i shkarkuar dhe vula ekzistuese e humbur.

Almiro Gurakuqi
Një vulë e re dhe dyshime për kompetencat
Vetëm pak ditë më vonë, më 18 prill 2025, u prodhua një vulë e re për të njëjtin institucion, përmes një procedure që ende nuk është sqaruar plotësisht. Problemi kryesor qëndron në faktin se Gurakuqi nuk kishte kompetencë ligjore për të kërkuar një vulë të tillë në emër të institucionit.
Ndërkohë, më 15 prill 2025 – tre ditë përpara daljes së vulës – ai kishte organizuar zgjedhje dhe ishte shpallur president i Urdhrit të Stomatologut.
Përplasja për drejtimin e institucionit
Kriza u thellua më tej në fund të vitit 2025. Në dhjetor, një proces tjetër zgjedhor shpalli si president Arben Muçaj. Ky i fundit, së bashku me Dedën, nuk e njohin legjitimitetin e Gurakuqit, duke e cilësuar atë si uzurpues të detyrës dhe institucioneve.

Arben Mucaj
Ndërhyrja e AMP dhe hapat ligjorë
Më 29 janar 2026, Deda i drejtoi një kërkesë zyrtare AMP-së për verifikimin e procedurës së nxjerrjes së vulës së re. Pas hetimeve, AMP arriti në përfundimin se ligji nuk ishte respektuar dhe më 2 prill 2026 i kërkoi Policisë së Shtetit të ndërhyjë për të ndalur paligjshmërinë dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve.
Megjithatë, AMP sqaroi se nuk ka kompetencë për të shpallur të pavlefshme vulën, duke i sugjeruar palës ankimuese t’i drejtohet vetë Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë.
Nga ana tjetër, Nikoll Deda konfirmoi se kallëzimi penal është depozituar më 3 prill 2026, ndërsa çështja tashmë pritet të marrë një zgjidhje përfundimtare nga autoritetet përkatëse.
Çfarë mbetet në pikëpyetje?
Në thelb të kësaj situate qëndron vlefshmëria e licencave të lëshuara gjatë kësaj periudhe, duke krijuar pasiguri jo vetëm për profesionistët e fushës, por edhe për funksionimin institucional të vetë Urdhrit të Stomatologut.
Vendimi përfundimtar mbi vlefshmërinë e vulës dhe pasojat juridike të saj pritet të përcaktohet nga institucionet ligjzbatuese dhe gjyqësore.







