GJKKO dënon me 4 vite burg ish-kryebashkiakun Leonidha Hristo

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 4 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë së Finiq, Leonidha Hristo, pasi u shpall fajtor për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është reduktuar në 2 vite burgim. Vendimi u dha këtë të martë, pas një procesi ku Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti prova dhe dëshmi që lidhen me abuzime në tendera publikë.

Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për procedura prokurimi me vlerë rreth 77 milionë lekë, të zhvilluara gjatë viteve 2017–2019 në Bashkinë e Finiqit. Hetimet kanë nxjerrë në pah se disa prej këtyre procedurave dyshohet të kenë qenë fiktive, ku dokumentacioni është përgatitur pasi fituesit ishin përcaktuar paraprakisht.

Provat e paraqitura nga SPAK përfshijnë dëshmi, përgjime dhe dokumente zyrtare, të cilat, sipas prokurorisë, tregojnë për një skemë të mirëorganizuar që cenon konkurrencën dhe ligjshmërinë në tenderat publikë.

Leonidha Hristo ka qenë gjithashtu kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të vitit 2023, nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Ndërkohë, për ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë – Florian Perin, Stavri Çavo, Lefter Karjanin dhe Lefteria Mekshin – çështja vijon të shqyrtohet në Sarandë, pasi GJKKO ka shpallur moskompetencë për këto raste.

Publikuar nga Publik Media