Policia liron 25 pengje
Autorët arratisen pas negociatave me policinë
Një situatë alarmante është regjistruar në Piazza Medaglie d’Oro, në zonën Arenella të lagjes Vomero të Napolit, ku një grabitje e armatosur në një degë të Crédit Agricole është përshkallëzuar në një pengmarrje dramatike.
Sipas autoriteteve, tre deri në katër persona të maskuar, me fytyra të mbuluara me maska letre që imitonin personazhe filmash, kanë hyrë në ambientet e bankës dhe janë barrikaduar brenda, duke mbajtur rreth 25 persona peng, mes tyre punonjës dhe klientë.
Zona u rrethua menjëherë nga forcat e karabinierëve, ndërsa në operacion u përfshinë edhe zjarrfikësit.
Këta të fundit ndërhynë duke thyer derën prej xhami të hyrjes me mjete të posaçme, për të mundësuar hyrjen e forcave të sigurisë në ambientet e brendshme.
Pas ndërhyrjes nisi një proces negociatash me autorët, i cili përfundoi me lirimin e të gjithë pengjeve pa pasoja të rënda për jetën e tyre.
Megjithatë, autorët kanë arritur të largohen nga vendngjarja dhe aktualisht vijon një operacion i gjerë për identifikimin dhe kapjen e tyre.







