Kryetari i Partisë Demokratike tha në fjalën e mbajtur në podiumin e vendosur para kryeministrisë se PD është sot e vetmja shpresë për Shqipërinë dhe këtë e dinë mirë edhe miqtë e Shqipërisë jashtë vendit.
Sipas tij, në Shqipëri ka sot vetëm një forcë që përfaqëson guximin që ngrihet mbi frikën dhe dhunën në betejë për dinjitetin e Shqiptarëve dhe kjo është PD.
“Mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike, por si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës. Kjo është e qartë për miqtë e Shqipërisë në botë. Që ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë u bë e qartë të nesërmen e protestës sonë të kaluar, një protestë e thirrur në mbrojtje të interesave të shqiptarëve kundër rritjes së çmimit të naftës, u paraqitën vetëm dhjetëra qytetarë edhe pse janë prekur nga çmimi i naftës. Pse nuk pati pjesëmarrje në një protestë të thirrur nga shoqëria civile? A janë rrogat e shqiptarëve më të ulëtat në rajon? Po. A është taksa e Ramës taksa më e lartë në botë? Po. Atëherë përgjigja është që opozita e ka ngritur në mënyrë të përsëritur. Shkaku i asaj proteste është frika që ka ngulur deri në palcë të shqiptarëve, njerëzit nga frika nuk dolën në protestë, me presionin mbi punonjësit dhe të afërmit e tyre, me arrestimet… Kjo tregoi se në Shqipëri ka sot vetëm një forcë që përfaqëson guximin që ngrihet mbi frikën dhe dhunën në betejë për dinjitetin e Shqiptarëve dhe kjo është PD”, tha Berisha.







