Një banesë është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në Starovë, në zonën e Pogradecit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur fillimisht në një kasolle me dërrasa pranë banesës, për t’u përhapur më pas me shpejtësi drejt objektit kryesor.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se shkaku i mundshëm mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende në proces verifikimi nga autoritetet përkatëse.
Fatmirësisht, në momentin e rënies së zjarrit, në banesë nuk ndodheshin familjarët. Tre motrat dhe nëna e tyre ishin jashtë, duke shmangur kështu pasoja në njerëz.
Flakët rrezikuan edhe një banesë tjetër ngjitur, por ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit në kohë, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.







