“Gjethja” që fsheh betonin, hap rruga e projektit të Strugës & Co në Vlorë
Beton dhe kullë 20 kate në kodrat e gjelbra të Ujit të Ftohtë
Një tjetër projekt i madh ndërtimi ka ndezur debat në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, një nga hapësirat më panoramike të qytetit, e cila vitet e fundit po përjeton një transformim të shpejtë urban. Në vend të një zhvillimi të kontrolluar dhe të harmonizuar me terrenin dhe ndërtimet ekzistuese, zona po mbushet me godina gjithnjë e më të larta.
Projekti më i fundit, i prezantuar me emrin “The Leaves” (Gjethet), parashikon ndërtimin e një kompleksi banimi dhe shërbimesh me disa kate mbi tokë dhe nivele parkimi nëntokë. Edhe pse koncepti arkitektonik synon të japë një pamje natyrore përmes fasadës së stilizuar si gjethe, përmasat e ndërtesës kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin në zonë, sidomos duke pasur parasysh se më parë ndërtimet në këtë pjesë nuk e kalonin një lartësi të kufizuar.


Leja për këtë projekt është miratuar nga KKTU, ndërsa zhvillimi i tij i është besuar kompanisë “Azure Developments”. Sipas të dhënave të siguruara, kompania është krijuar në fund të vitit 2024 dhe ka aplikuar për lejen e ndërtimit gjatë vitit pasardhës.
Në strukturën e pronësisë së saj figurojnë tre aksionerë: Redi Struga, Shpëtim Xhaferaj dhe Asllan Hastoçi, të cilët zotërojnë pjesë të barabarta të aksioneve.


Dokumentacioni teknik tregon se projekti do të zhvillohet mbi një truall prej rreth 1300 metrash katrorë, ndërsa sipërfaqja e zënë nga ndërtimi është rreth 470 metra katrorë. Aktualisht, në këtë hapësirë ndodhet një ndërtesë e ulët, pa vlera të veçanta arkitekturore apo historike.
Zona përreth karakterizohet nga ndërtesa relativisht të ulëta, kryesisht 2 deri në 5 kate, me stil të thjeshtë dhe funksional. Kjo kontraston ndjeshëm me përmasat e projektit të ri, i cili parashikon volume më të mëdha dhe më të larta ndërtimore.
Terreni ku do të ndërtohet objekti është i pjerrët, me një diferencë niveli të konsiderueshme, çka i jep projektit avantazh për pamje të hapur drejt detit Jon. Sipas përshkrimit të projektit, pjesa më e madhe e apartamenteve do të orientohen pikërisht nga deti, duke rritur vlerën tregtare të tyre.
Arkitektura e ndërtesës bazohet në një koncept vizual dinamik: ballkonet janë të shpërndara në mënyrë jo lineare dhe parapetet janë projektuar për të krijuar efektin e gjetheve, prej nga rrjedh edhe emri i projektit. Fasada do të jetë e ventiluar dhe e veshur me materiale qeramike, me përdorim ngjyrash të ndryshme për të imituar ndryshimet sezonale në natyrë.
Megjithatë, përtej estetikës, projekti ka rihapur diskutimin mbi zhvillimin urban në bregdet dhe mungesën e një standardi të unifikuar ndërtimi. Kritikat lidhen kryesisht me densitetin në rritje të ndërtimeve dhe ndikimin që këto projekte mund të kenë në peizazh dhe infrastrukturë.
Uji i Ftohtë, dikur një zonë e qetë dhe me ndërtime të ulëta, po kthehet gradualisht në një hapësirë intensive ndërtimi, duke reflektuar trendin më të gjerë të zhvillimit të vrullshëm përgjatë vijës bregdetare shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



