E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja në Sarandë, vetëdorëzohet i riu, policia deklaratë zyrtare
Lajme

Vrasja në Sarandë, vetëdorëzohet i riu, policia deklaratë zyrtare

Një prej personave të përfshirë në konfliktin e përgjakshëm në zonën e Gjashtës në Sarandë është vetëdorëzuar rreth tre orë më parë, ndërsa ngjarja tragjike i mori jetën 66-vjeçarit Rexhep Ismaili.

Bëhet fjalë për 31-vjeçarin Kostandin Vogli, banues në Shën Vasil të Himarës, i cili pas dorëzimit është transportuar në spitalin e Sarandës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ai kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në këmbë dhe gjatë qëndrimit në spital është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes. Burime bëjnë me dije se pritet transferimi i tij drejt spitalit të Vlorës, si për trajtim më të specializuar, ashtu edhe për arsye sigurie.

Nga hetimet paraprake rezulton se Vogli dyshohet të ketë qenë në konflikt të mëparshëm me shtetasin Tori Ruçi. Pasi e ka pikasur këtë të fundit në lokalin në pronësi të viktimës, ai dyshohet se ka njoftuar disa persona të tjerë, duke çuar në përshkallëzimin e situatës. Fillimisht përplasja ka qenë fizike dhe me sende të forta, por më pas ka degjeneruar në përdorim armësh zjarri.

Sipas të dhënave hetimore, gjatë konfliktit, Rexhep Ismaili ka qëlluar me armë automatike në drejtim të personave të përfshirë, duke plagosur Voglin. Në vijim, dyshohet se një prej të rinjve të pranishëm ka reaguar duke hapur zjarr me pistoletë, çka solli vdekjen e 66-vjeçarit në vend.

Vogli rezulton një emër i njohur për autoritetet, me precedentë penalë për drejtim të parregullt të automjeteve. Gjithashtu, në vitin 2023 ai ishte shpallur në kërkim për vepra të lidhura me narkotikët, ndërsa nuk dihet ende nëse ka kryer dënim për këto akuza.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, i cili konfirmoi se janë identifikuar personat e përfshirë dhe është rindërtuar dinamika paraprake e konfliktit. Sipas tij, disa shtetas janë paraqitur në lokalin e viktimës dhe kanë nisur menjëherë përplasjen me personat që ndodheshin në tavolinë, duke e kthyer situatën në një konflikt të dhunshëm që përfundoi me përdorimin e armëve.

Autor i dyshuar i vrasjes konsiderohet një 37-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, pesë persona të tjerë, përfshirë edhe Voglin, akuzohen për kanosje dhe shkatërrim prone. Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe vëllai i viktimës, i dyshuar se ka fshehur armën automatike pas ngjarjes.

Nga kontrollet e ushtruara, policia ka sekuestruar disa prova materiale, përfshirë një automjet luksoz tip “Audi Q8”, gëzhoja dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu, është gjetur një motomjet i braktisur në fshatin Nivicë, që dyshohet të jetë përdorur nga autori për t’u larguar nga vendngjarja.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa operacionet për kapjen e personave në kërkim janë në zhvillim. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë duke dhënë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tyre dhe në parandalimin e ngjarjeve të ngjashme.

Deklarata e Drejtori të drejtorisë së qarkut të Vlorës, Elidon Çela

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.
Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.
Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit:
L.T., Lulzim Tabaku
I.C., Idriz Çela
E.M., Eljo Muço
K.V., Kostandin Vogli
M.A Marjo Agalliu
dhe E.Sh.Ermal Shkalla

kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.

Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima R. I ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt,

Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi L. T. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit R. I., i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi K.V.

Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi H. I., ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi L. T. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit:
L. T., 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
I. C., 40 vjeç, E. M., 19 vjeç, K. V., 31 vjeç, M. A., 22 vjeç dhe E. Sh., 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Si dhe u proceduar penalisht shtetasi H. I. (Hajredin Ismaili) 60 vjeç, vëllai i viktimës.

Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.

Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.

Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.