Rama tallet publikisht me Bora Muzhaqin: Është meme e gatshme!
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte pasdite në ceremoninë e shpalljes së fituesve të programit të startup-eve për të rinjtë në Elbasan, një nismë që synon të nxisë inovacionin dhe zhvillimin e aftësive teknologjike tek brezi i ri.
Gjatë fjalës së tij, Rama ndaloi veçanërisht te roli dhe kontributi i ish-ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, aktualisht deputete e Partisë Socialiste. Ai theksoi se, ndonëse shpesh perceptohet ndryshe në publik, për të ajo mbetet një figurë me ndikim të rëndësishëm në fazat e para të këtij programi.
Kryeministri vuri në dukje se në qytetin e Elbasanit aktualisht funksionojnë 27 shkolla ku nxënësit po marrin njohuritë bazë në kodim, duke e konsideruar këtë si një hap konkret drejt përgatitjes së të rinjve për tregun e së ardhmes.
“Në Elbasan kemi 27 shkolla ku nxënësit mësojnë bazat e para të kodimit. Këtu kemi një personazh që nuk i merr meritat e duhura, Bora Muzhaqi, e cila për shumëkënd është një ‘meme e famshme’, por për mua dhe për rrugën e këtij programi është një protagoniste, pa të cilën nuk do të kishim arritur shumë nga ato që bëmë në hapat e parë,” u shpreh Rama.
Ai shtoi më tej se eksperienca e saj duhet të shfrytëzohet më gjerësisht për të ndihmuar të rinjtë që të aplikojnë në mënyrë të saktë dhe të përfitojnë maksimalisht nga mundësitë që ofrojnë programe të tilla.
“Për këtë arsye dua ta sjell si shembull kontributin e Borës dhe njëkohësisht ta nxis që të përdorë eksperiencën e saj për të udhëzuar sa më shumë të rinj në procesin e aplikimeve,” theksoi kryeministri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



