E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arben Llangozi kërkon drejtimin e Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë
Lajme

Arben Llangozi kërkon drejtimin e Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë

Avokati shpall publikisht kandidaturën e tij

Avokati Arben Llangozi ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për postin e Kryetarit të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, duke hyrë në garë me një platformë që synon rritjen e rolit dhe peshës së avokatisë në sistemin e drejtësisë.

Në një reagim publik, Llangozi bën me dije se vendimi për të kandiduar erdhi si rezultat i kërkesës dhe mbështetjes së kolegëve të tij, duke e cilësuar këtë hap jo si ambicie personale, por si një përgjegjësi ndaj profesionit.

Ai thekson se avokatia ka nevojë për më shumë mbështetje institucionale, transparencë dhe përfaqësim dinjitoz, ndërsa kërkon një qasje më aktive të Dhomës së Avokatisë në mbrojtjen e të drejtave profesionale të avokatëve. Sipas tij, një avokati e fortë është thelbësore për një drejtësi funksionale dhe të barabartë për qytetarët.

Llangozi nënvizon gjithashtu se Dhoma Vendore e Avokatisë duhet të shndërrohet në një institucion më të hapur dhe më të pranishëm në problematikat e përditshme të avokatëve, duke garantuar standarde më të larta profesionale dhe mbështetje reale për çdo anëtar të saj.

Reagimi i plotë i avokatit Arben Llangozi:

“Sot, me kërkesë dhe mbështetje të shumë kolegëve, vendosa të paraqes kandidaturën time për Kryetar të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë. Ky vendim nuk është një ambicie personale, por një përgjegjësi ndaj profesionit, ndaj kolegëve dhe ndaj nevojës që avokatia të ketë përfaqësimin që meriton.

Prej vitesh kam qenë pranë kolegëve, kam mbështetur shqetësimet e tyre dhe kam ngritur zërin sa herë që avokatia është cenuar, anashkaluar apo trajtuar si pjesë dytësore e sistemit të drejtësisë. Bindja ime ka qenë dhe mbetet e qartë, pa avokati të fortë, nuk ka drejtësi të fortë.

Avokati nuk është thjesht përfaqësues i një pale në proces. Avokati është garant i të drejtës së mbrojtjes, i barazisë së armëve, i procesit të rregullt ligjor dhe i aksesit real të qytetarit në drejtësi. Në çdo sistem demokratik, niveli i respektit ndaj avokatit tregon edhe nivelin e respektit ndaj lirive dhe të drejtave të qytetarit.

Prandaj Dhoma Vendore e Avokatisë Tiranë nuk do të jetë vetëm një strukturë administrative. Ajo duhet të jetë institucion përfaqësimi, mbrojtjeje dhe standardi dhe zëri i avokatëve. Duhet të jetë pranë avokatëve në problemet e përditshme, të reagojë kur cenohen të drejtat profesionale, të kërkojë respekt institucional dhe të ndërtojë mekanizma realë mbështetjeje për çdo koleg.

Avokatia sot ka nevojë për më shumë mbështetje, më shumë transparencë, më shumë komunikim dhe më shumë forcë institucionale. Ka nevojë për një dhomë që dëgjon avokatët, që i përfaqëson me dinjitet dhe që nuk e lë zërin e tyre të shpërndarë apo të padëgjuar.

Kandidatura ime është angazhim për një Dhomë më aktive, më të hapur dhe më të përgjegjshme. Një Dhomë që mbron avokatin, forcon standardet profesionale, mbështet avokatët e rinj dhe i jep profesionit peshën që i takon në sistemin e drejtësisë.

Avokatia nuk kërkon privilegje. Avokatia kërkon respekt, standard dhe barazi reale në ushtrimin e detyrës. Kjo është arsyeja pse ky proces ka rëndësi jo vetëm për një zgjedhje, por për drejtimin që duam t’i japim profesionit tonë.

Unë besoj se Dhoma Vendore e Avokatisë Tiranë duhet të jetë zëri i avokatëve të Tiranës, zë i qartë, zë i fortë, zë dinjitoz dhe zë që dëgjohet”, shkruan Llangozi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.