Sekuestrohet kati pa leje mbi hotelin e vëllait të Edmond Papës
Prokuroria e Sarandës ka vendosur sekuestrimin e një kati të dyshuar si i ndërtuar pa leje mbi “Hotel Oasis”, në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar.
Bëhet fjalë për një strukturë të re ndërtimore me përmasa 22.9 metra me 13.4 metra dhe lartësi 3.5 metra, e ngritur mbi tarracën e një hoteli 6-katësh, në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të Sarandës.
Objekti rezulton i regjistruar në emër të shtetasit Alqi Papa, vëllai i biznesmenit Edmond Papa, i cili u ekzekutua në zonën e Selitës në Tiranë më 16 dhjetor 2022.
Mësohet se Prokuroria e Sarandës ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestrim preventiv”, kërkesë e cila është pranuar nga gjykata më 12 maj 2026.
Menjëherë pas vendimit, prokurorja Silvana Belishta ka urdhëruar ekzekutimin e masës së sekuestrimit, ndërsa veprimi është zbatuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Vrasja e Edmond Papës
Edmond Papa u ekzekutua më 16 dhjetor 2022 në zonën e Selitës në Tiranë. Sipas hetimeve dhe dyshimeve të ngritura më herët, ai konsiderohej i implikuar në aktivitete të trafikut të drogës nga Turqia drejt Shqipërisë dhe më pas drejt Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në pastrim parash.
Sipas versioneve hetimore të raportuara më parë, vrasja e tij është konsideruar si një akt hakmarrjeje, i lidhur me ekzekutimin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, i cili u vra me shpërthim eksplozivi në automjetin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



