Dosja AKSHI, biznesmeni Gentian Likaj shkon në SPAK
Biznesmeni Gentian Likaj është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i shoqëruar nga avokati i tij. Paraqitja e tij lidhet me hetimet që po zhvillohen mbi procedurat e tenderimit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Emri i Likajt është përmendur në dosjen hetimore si një nga përfituesit e kontratave publike të dhëna nga ky institucion, çka e ka vendosur atë në fokusin e organit të akuzës. Ende nuk janë bërë publike detaje të plota mbi rolin e tij në këtë çështje, por hetimet pritet të zbardhin mënyrën e përfitimit të këtyre tenderëve.
Një ditë më parë, në SPAK u paraqit edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Ajo ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”, pas një vendimi të fundit të Gjykatës së Lartë, e cila zbuti masën e mëparshme të caktuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që ishte “arrest në shtëpi”.
Çështja ndaj AKSHI-t duket se po merr përmasa më të gjera, teksa hetimet po përfshijnë jo vetëm ish-zyrtarë të lartë, por edhe përfaqësues të biznesit të dyshuar si përfitues të fondeve publike. Paraqitjet në SPAK janë pjesë e procedurave hetimore për të sqaruar përgjegjësitë individuale dhe për të verifikuar ligjshmërinë e tenderëve të dhënë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



