Ema Andrea rrëfen momentin kur pa të vëllain binjak të pa jetë në palestër
Aktorja Ema Andrea ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera dhe personale gjatë një interviste në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur hapur për humbjen tragjike të vëllait të saj binjak, i cili ndërroi jetë papritur në një palestër.
Mes emocionesh të forta, dhimbjes dhe reflektimeve të thella për jetën dhe mungesën, artistja tregoi se ende sot jeton me ndjesinë e pritjes së një telefonate prej tij.
“Pres të marrë në telefon ende… Fjala është e mangët, tani unë s’jam”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se pas kësaj humbjeje nuk ndihet më e plotë.
Në një tjetër moment rrëqethës të rrëfimit, Ema Andrea pranoi se tashmë e kupton në thellësi çfarë do të thotë vetmia e vërtetë.
“E kishim vendosur që ai do ikte para meje, por jo kaq herët”, tregoi ajo, duke shtuar se përjeton edhe një ndjenjë tradhtie për shkak të largimit të papritur të tij.
Aktorja ndau gjithashtu detaje mbi lidhjen e fortë dhe të veçantë që kishte me vëllain e saj binjak, duke theksuar se ai ishte i vetmi që e kuptonte në çdo gjendje, pa pasur nevojë për shumë fjalë.
Një nga momentet më të forta të intervistës ishte kujtimi i telefonatës fatale dhe çastit kur ajo mbërriti në palestër.
“Mu prenë gjunjët”, rrëfeu ajo, duke kujtuar momentin kur një efektiv policie i kërkoi të mos vazhdonte më tej.
Ema Andrea foli hapur edhe për gjendjen e saj emocionale pas humbjes, duke pranuar se kishte menduar të dëmtonte veten, por kishte hezituar për të mos prishur ceremoninë mortore të të vëllait. Në ato ditë të vështira, pranë saj ka qenë edhe Ori Nebiaj, si një mbështetje e rëndësishme.
Në fund, aktorja ndau reflektime të forta për jetën dhe marrëdhëniet njerëzore, duke theksuar se dhimbja e përjetuar e ka ndryshuar thellësisht dhe i ka dhënë një dimension tjetër vetes dhe mënyrës si e sheh botën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



