Ema Andrea përlotet për të vëllain e ndjerë: Humba gjysmën time
Aktorja e njohur Ema Andrea ka ndarë një nga dëshmitë më të ndjera të jetës së saj, duke folur për humbjen e vëllait binjak, Enea Andrea, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë si pasojë e një arresti kardiak. Një plagë që, sipas saj, nuk mund të përkufizohet me fjalë dhe që ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e sheh jetën.

E prekur thellë, aktorja rrëfeu se largimi i të vëllait ka qenë si të humbiste një pjesë të vetes. Ajo e përshkroi këtë përjetim si një ndarje që e ka vendosur përballë dimensioneve të reja emocionale, duke pranuar se vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për të.
“Kam humbur gjysmën time”, u shpreh ajo, duke theksuar se dhimbja e ka shoqëruar në çdo hap dhe se realiteti pas kësaj humbjeje është krejt tjetër. Sipas saj, jeta tashmë ndahet në dy kohë: para dhe pas këtij momenti.
Rrëfimi u bë në emisionin Goca dhe Gra, në daljen e saj të parë publike pas tragjedisë familjare. Andrea tregoi se kishte hezituar për të folur, por në fund kishte vendosur të përballej me publikun pikërisht aty ku ndihej më e sigurt për ta nisur këtë kapitull të ri.
Aktorja theksoi se dhimbja nuk ndjek rregulla, nuk njeh etikë dhe nuk i bindet asnjë logjike. Sipas saj, në momente të tilla kupton se fjalët shpesh janë të pamjaftueshme dhe se ka ndjenja që nuk përkthehen dot në gjuhë.

Megjithatë, mes errësirës, ajo pranoi se ka përjetuar edhe një valë të jashtëzakonshme dashurie dhe mbështetjeje. Njerëz të njohur e të panjohur i kanë qëndruar pranë familjes së saj, me mesazhe, përqafime dhe fjalë ngushëllimi. Vëllai i saj, tha ajo, u përcoll me dinjitet dhe respekt, ndërsa falënderimet i drejtoi publikisht të gjithë atyre që ndanë dhimbjen me ta.
Andrea u shpreh se nuk ka zgjedhur ta luftojë dhimbjen, por ta pranojë atë si pjesë të procesit. Ajo e konsideron dorëzimin përballë kësaj ndjenje si një mënyrë për ta përballuar realitetin, duke shtuar se tani do t’i duhet të mësojë të jetojë nga e para.
“Për mua po fillon një jetë e re”, përfundoi aktorja, duke lënë të kuptohet se rruga përpara do të jetë një proces i gjatë, por i domosdoshëm për t’u rindërtuar shpirtërisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



