Asgjë e re nga fronti i “referendumit” për doktorin e madhërishëm
Po qëndron si shkëmb graniti në pashallëkun e mbyllur të PD-së
Skena politike shqiptare ka ngrirë në një status-kuo dëshpëruese, ku opozita nuk ofron më alternativë, një pasqyrë të dorëzimit total. Kjo nuk është më betejë idesh; ky është dorëzimi pa kushte i një tufe politikanësh përballë biologjisë dhe fateve personale të dy individëve.
Fakti që Sali Berishën nuk e mund dot kush brenda asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike – në kushtet aktuale – nuk do as mend dhe as kalem. Është një aksiomë e dhimbshme. Madje është qesharake që figura si Ervin Salianji të futeshin në garë. Kjo do të prishte festën e idilizmit!
Makineria elektorale e demokratëve duket se është e vajosur për të prodhuar vetëm një fitues.
Demokratët kanë vënë në ruletë fatin mbi numrin e 82-vjeçarit Sali Berisha.
Sëmundja e vërtetë e opozitës së sotme është nënshtrimi kolektiv. Brenda asaj godine sundon dogma e frikshme: “S’e mundim dot Berishën, s’e mundim dot Ramën!”. Pasi kanë pranuar këtë kapitullim mendor, e gjithë “lufta” e tyre politike është katandisur në një shfaqje servilizmi të shpifur. Një kastë “Zeqineshë” të reja dhe të vjetra, që nuk lufton për parime, as për të rrëzuar regjimin përballë, por thjesht shtyhen me bërryla se kush do t’i fërkojë më mirë shpatullat një 82-vjeçari, me shpresën e vetme se mund t’u hidhet si kockë një vend i sigurt në listën e deputetëve.
Ky rreshtim qesharak është tradhtia më e madhe që i bëhet atij elektorati që ka sakrifikuar gjithçka. Flasim për ata njerëz që në vitet më të vështira kanë luftuar me mish e me shpirt për një ideal, shpesh pa kërkuar asgjë në këmbim – as një vend pune, as një privilegj.
Sot, ky elektorat nuk përfaqësohet më. Ai është lënë jetim nga udhëheqës që shohin vetëm fatin e familjes dhe të karriges së tyre. Faqja e zezë u mbetet atyre që e kthyen shpresën në monedhë shkëmbimi për mbijetesë personale.
Ky nuk është vetëm fatalizmi i një populli opozitar, por edhe i socialistëve, patronazhistëve dhe mbretit Rama.
Megjithatë, tragjedia më e madhe shtrihet përtej mureve të zyrave të PD-së. Pyetja më therëse, ajo që të rrëqeth mishin, është ajo që prek vetë sedrën e këtij populli:
Fatalisht, kjo shoqëri e ka vetëdorëzuar fatin dhe ndryshimin në duart e dy njerëzve që janë thjesht vdekatarë, ashtu si secili prej nesh.
Halli i madh që duket se i mundon të gjithë nuk është se si të fitohet liria, por: Nëse vdes Rama dhe Berisha, kush do të na mbajë të nënshtruar?
Sepse ky popull do patjetër të jetë i destinuar të dorëzojë lirinë tek psikopatët dhe të lajthiturit. Ndryshe nuk bën dot!
Ky është kulmi i sindromës së Stokholmit në nivel kombëtar. Kemi rënë në dashuri me prangat tona saqë na zë frika se mos mbetemi pa xhelatë.
Në fund të ditës, historia përsëritet si farsë. Ju që sot heshtni, përuleni dhe pranoni fatin e paracaktuar, nuk keni asnjë dallim nga protagonistët e periudhave më të errëta të tranzicionit apo rebelimeve pa krye. Historia do të na mbajë mend si skllevër dhe si spektatorë të frikësuar në dështimin tonë për të qenë qytetarë normalë ballkanikë, të paktën sa Europës t’i vijmë anash. Rroftë mbreti Edi, rroftë pashai i demokratëve Sali!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



