Ndodh në Vlorë! Gruaja hyn me thikë në gjykatë, arrestohet nga policia
Një incident shqetësues është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, ku një grua është ndaluar nga shërbimet e sigurisë pasi tentoi të hynte në godinë me një mjet prerës.
Sipas informacioneve, gruaja kishte mbërritur për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore, por në momentin që kaloi nëpër skanerin e sigurisë, sistemi sinjalizoi praninë e një objekti metalik. Menjëherë pas kësaj, ajo ka tentuar të largohet nga zona e kontrollit për t’u drejtuar drejt një daljeje tjetër të gjykatës, por është ndaluar nga efektivët e sigurisë.
Pas njoftimit të menjëhershëm, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë. Burime bëjnë me dije se gruaja ka kërkuar të shkojë vetë drejt automjetit të saj, duke u shprehur se nuk lejonte kontroll fizik nga efektivët meshkuj për shkak të bindjeve të saj fetare.
Ende nuk janë bërë të ditura arsyet e mbajtjes së thikës në ambientet e gjykatës, por dyshohet se ajo mund të ishte përdorur gjatë procesit gjyqësor. Mjeti prerës, i përmasave të mëdha, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, gruaja është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



