Gjykata i dha të drejtë, Pacolli thirrje qeverisë: Ndalni agresionin policor!
Kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Lartë, duke theksuar se pas afro një viti i rikthehen të drejtat mbi investimin që kap vlerën e më shumë se 90 milionë eurove në Aeroportin e Vlorës.
Shoqëria “Mabco Constructions S.A.” reagoi zyrtarisht pas vendimit që rrëzoi masat e mëparshme ndaj saj në konfliktin për kontrollin e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në deklaratën e saj, kompania e lidhur me Pacollin e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së ligjshmërisë.
Sipas Mabco-s, për gati një vit kompania ishte penguar të ushtronte të drejtat e saj si aksionere mazhoritare, ndonëse zotëron 98% të kuotave në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport”. Kompania thekson se gjatë kësaj periudhe i janë mohuar të drejta thelbësore si e drejta e votës, e informimit, aksesi në kantierin e ndërtimit dhe kontrolli mbi investimin e saj.
Në reagim, kjo situatë cilësohet si një përpjekje e vazhdueshme për shpronësim de facto të investitorit kryesor të huaj, duke sjellë pasoja jo vetëm për kompaninë, por edhe për interesin publik dhe imazhin e Shqipërisë si një vend i besueshëm për investime të huaja.
Kompania thekson se vendimi i Gjykatës së Lartë hap rrugën për rikthimin e normalitetit në këtë projekt strategjik, por paralajmëron se zbatimi i tij kërkon veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Në këtë kuadër, Mabco i bën thirrje Ministrisë së Infrastrukturës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Policisë së Shtetit që të garantojnë rikthimin e të drejtave dhe aksesin në kantier.
Në deklaratë ngrihen gjithashtu akuza ndaj administratorit aktual të “Vlora International Airport” dhe përfaqësuesve të lidhur me ortakun minoritar, të cilët sipas kompanisë kanë penguar hyrjen e përfaqësuesve të saj, përfshirë inxhinierë, specialistë dhe nënkontraktorë.
Mabco kërkon që Policia e Shtetit të mos përdoret si mjet për përjashtimin e saj nga kantieri dhe të sigurojë një ambient të lirë dhe të sigurt për vijimin e punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Pavarësisht dëmeve ekonomike dhe reputacionale të pretenduara gjatë kësaj periudhe, kompania shprehet e vendosur për të çuar përpara projektin. Ajo nënvizon angazhimin për përfundimin e aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë.
Në përfundim, Mabco ka shprehur mirënjohje për punonjësit dhe specialistët që kanë vijuar angazhimin e tyre gjatë periudhës së konfliktit, duke ruajtur standardet profesionale edhe në kushte presioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



