Nga McLaren te BMW, Tatimet i sekuestrojnë 8 makina qytetarit
Kishte 6.4 milionë euro detyrime të papaguara
Një aksion i fundit i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka çuar në sekuestrimin e tetë automjeteve luksoze në Tiranë, në pronësi të një qytetari që nuk kishte shlyer detyrimet tatimore që nga dhjetori i vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare, shuma e detyrimeve të papaguara arrin në 6.4 milionë euro. Për shkak të këtij borxhi të konsiderueshëm, autoritetet kanë ndërhyrë duke kaluar nga bllokimi i llogarive bankare në konfiskimin e aseteve fizike, konkretisht automjete të markave të njohura si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.
Ky veprim vjen në kuadër të një qasjeje më të ashpër ndaj tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet, ndërsa sinjalizon një kontroll më të fortë mbi rastet e evazionit dhe borxheve të mëdha ndaj shtetit.
“Administrata Tatimore rikujton se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori dhe ata që krijojnë detyrime të reja tatimore pas datës 31.12.2024, të cilat nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.
Në kuadër të këtyre masave, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore kanë kaluar nga bllokimi i llogarive bankare në sekuestrimin e aseteve të debitorëve, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve. I tillë është rasti i një tatimpaguesi në Tiranë me detyrime tatimore të papaguara në vlerën 6.4 milionë euro, të cilit i janë sekuestruar 8 automjete luksoze, mes tyre McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW. Administrata Tatimore do të vijojë pa kompromis zbatimin e masave shtrënguese ndaj çdo subjekti që shmang përmbushjen e detyrimeve tatimore,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



