Rama luan me nervat e popullit: Edhe 500 mijë veta nuk mjaftojnë!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj protestave që po zhvillohen në Tiranë, gjatë një takimi me banorët e Zvërnecit në Vlorë. Në fjalën e tij, ai e bëri të qartë se tubimet në kryeqytet nuk kanë fuqinë për të vënë në diskutim mandatin e marrë nga vota e qytetarëve.
Rama theksoi se qeveria dhe Partia Socialiste kanë marrë një mbështetje të qartë në zgjedhje dhe se vendimmarrjet e tyre burojnë nga ky besim. Sipas tij, projektet dhe investimet që po realizohen nuk janë të papritura, por pjesë e një programi të shpallur publikisht gjatë fushatës elektorale.
“Edhe sikur të dalin qindra mijëra në shesh, kjo nuk ndryshon marrëveshjen që kemi me shumicën e qytetarëve. Janë mbi 800 mijë votues që na kanë dhënë besimin për të çuar përpara këtë program,” u shpreh ai.
Kryeministri ndau gjithashtu një krahasim me qytetin e Tivatit në Mal të Zi, duke e sjellë si shembull të transformimit përmes zhvillimit turistik. Ai nënvizoi se zona dikur e pazhvilluar është kthyer në një destinacion të rëndësishëm, duke theksuar se investimet në turizëm ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe punësimin e banorëve.
Në të njëjtën linjë, Rama komentoi edhe kërkesat e protestuesve për paga më të larta, duke përdorur nota ironike. Sipas tij, pritshmëritë e disa prej tyre janë të tepruara dhe nuk përputhen me realitetin ekonomik të vendit.
Ai shtoi se sektori i turizmit në Shqipëri ofron tashmë paga konkurruese në raport me vendet e rajonit, duke përmendur se në disa raste ato janë në të njëjtin nivel ose edhe më të larta se në Greqi. “Tregu i punës sot kërkon angazhim. Nuk është çështje negocimi pa fund, por gatishmërie për të punuar,” përfundoi kryeministri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



