EMRAT/ Goditet grupi kriminal në Vlorë, policia zbardh detajet
Një operacion i gjerë policor ka çuar në goditjen e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Vlorës. Aksioni, i koduar “Grupi”, u finalizua pas hetimeve intensive dhe bashkëpunimit mes strukturave të policisë vendore, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Prokurorisë.
Gjatë ndërhyrjes u vunë në pranga gjashtë persona, ndër të cilët edhe drejtuesi i grupit. Mes të arrestuarve ndodhet edhe autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të një 26-vjeçari, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në Vlorë. Po ashtu, një prej të ndaluarve rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, ndërsa dy të tjerë ishin në kërkim kombëtar.
Operacioni u zhvillua në fshatin Vranisht, ku forcat e policisë ndërhynë në një ambient lokal dhe neutralizuan grupin që operonte kryesisht në zonën e Vlorës dhe Fierit. Sipas hetimeve paraprake, aktiviteti i tyre përfshinte krime kundër personit si dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Personat e arrestuar janë:
- Florian Shala (alias Florian Alliaj)
- Neritan Dalipaj (alias Neritan Qejvanaj)
- Aleksandër Dula (alias Aleksandër Thomai, alias Ilir Dula)
- Miço Beqaraj
- Turi Aligjoni (i dyshuar për plagosjen e fundit)
- Dritan Çelaj
Gjatë operacionit, policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta të markave të njohura, sasi municioni luftarak, shtatë telefona celularë, një shumë parash prej 1850 eurosh si dhe tre automjete, njëri prej të cilëve i blinduar.
Nga verifikimet rezultoi se një automjet tip “BMW X5” ishte përdorur nga autori i plagosjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas sulmit me armë zjarri.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal të këtij grupi dhe për të dokumentuar të gjitha veprat penale në ngarkim të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



