“Maradona” shqiptar arrin marrëveshjen dhe del nga burgu i Belgjikës
Shqiptari Flamur Sinanaj, një emër i njohur për autoritetet belge në hetimet që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës, është liruar nga burgu pas miratimit të një marrëveshjeje me drejtësinë belge për pranimin e fajësisë.
Vendimi u aprovua nga gjykata gjatë javës së kaluar dhe konsiderohet si një nga marrëveshjet më të rëndësishme të arritura ndonjëherë në një prej proceseve më të mëdha kundër trafikut të narkotikëve në Belgjikë.
Sipas raportimeve të mediave belge, Flamur Sinanaj ka pranuar përgjegjësinë për veprat penale për të cilat akuzohej, duke rënë dakord për një dënim prej pesë vitesh burg. Nga ky dënim, dy vite do të vuajnë në mënyrë efektive, ndërsa ai është detyruar gjithashtu të paguajë 1.5 milionë euro në favor të shtetit belg.
Lirimi i tij u bë menjëherë pas miratimit të marrëveshjes, pasi ai kishte kaluar tashmë rreth dy vite në paraburgim, si në Turqi ashtu edhe në Belgjikë. Avokati i tij, Johan Van Genechten, konfirmoi arritjen e marrëveshjes me prokurorinë federale, pa dhënë detaje shtesë mbi kushtet e negociuara mes palëve.
Sipas dosjes hetimore, autoritetet belge e konsiderojnë Flamur Sinanajn një figurë me ndikim në rrjetin kriminal të lidhur me trafikantin Flor Bressers. Hetuesit pretendojnë se ai kishte rol drejtues në operacionet që merreshin me nxjerrjen e ngarkesave të kokainës të fshehura në kontejnerë transporti, si dhe me administrimin e shumave të mëdha të parave që qarkullonin brenda organizatës.
Materialet e sekuestruara gjatë hetimeve sugjerojnë se ai ka menaxhuar dhe mbledhur rreth 17 milionë euro në Belgjikë dhe Holandë, para që dyshohet se lidhen me aktivitetet e rrjetit kriminal.
Kjo çështje nuk përbën përballjen e parë të Flamur Sinanajt me drejtësinë. Më herët, në vitin 2010, ai ishte dënuar me tetë vite burg dhe gjobë financiare, pasi u shpall fajtor si drejtues i një organizate kriminale të përfshirë në kontrabandimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Amerika e Jugut drejt tregut europian.
Në fillim të vitit 2025, ai u ekstradua nga Turqia drejt Belgjikës. Sipas raportimeve, Flamur Sinanaj kishte qëndruar për një periudhë të gjatë në territorin turk, ku kishte siguruar shtetësi së bashku me Sani Al Murdaa. Megjithatë, autoritetet turke vendosën t’u revokojnë shtetësinë në vitin 2024, çka çoi në arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij.
Pas rikthimit në Belgjikë, Flamur Sinanaj autorizoi ekipin e tij ligjor të hynte në negociata me prokurorinë federale, proces që përfundoi me marrëveshjen e miratuar nga gjykata.
Ndërkohë, procedurat gjyqësore që lidhen me dosjen Bressers do të vijojnë në muajt e ardhshëm për personat e tjerë të përfshirë, ndërsa për Flamur Sinanajn çështja konsiderohet e mbyllur pas formalizimit të marrëveshjes me autoritetet belge.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



