Arlinda Pogaj “qeras” Allajbeun me dy tendera 1.3 miliardë lekë
Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), institucion që funksionon nën varësinë direkte të Këshillit të Ministrave, ka finalizuar dy procedura të rëndësishme tenderuese në sektorin e shëndetësisë, duke shpallur fituese kompaninë “Evita” të biznesmenit Klodian Allajbeu. Vlera e kombinuar e kontratave arrin në rreth 1.3 miliardë lekë, ndërsa mënyra e zhvillimit të tyre ka ngritur pikëpyetje mbi konkurrencën reale dhe përdorimin e fondeve publike.
Procedura e parë, e mbyllur më 29 maj, kishte si objekt furnizimin me impiante kokleare për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me një fond limit prej rreth 1.2 miliardë lekësh dhe afat zbatimi 24 muaj. Në këtë garë morën pjesë dy kompani me oferta të ndjeshme në diferencë. Subjekti “FEDOS” paraqiti ofertën më ekonomike, rreth 903 milionë lekë, ndërsa “Evita” ofroi afro 1.1 miliardë lekë.

Megjithatë, oferta më e ulët u skualifikua me argumente teknike nga institucioni i drejtuar nga Arlinda Pogaj, duke i hapur rrugë shpalljes fituese të kompanisë “Evita”, e cila përfitoi kontratën me një vlerë pranë kufirit maksimal të fondit.
Vetëm katër ditë më pas, më 3 qershor, OBP zhvilloi një tjetër procedurë për furnizimin me kite dhe reagentë për analizat e ngarkesës virale të HIV për Institutin e Shëndetit Publik. Në këtë rast, nuk pati asnjë konkurrencë, pasi në garë mori pjesë vetëm kompania “Evita”, e cila paraqiti ofertë pothuajse të barabartë me fondin limit prej rreth 68 milionë lekësh.
Pavarësisht mungesës së rivalitetit, autoriteti kontraktor vendosi të vijojë me shpalljen e fituesit, duke mos e anuluar procedurën për të garantuar një proces më konkurrues.

Këto zhvillime vijnë në një kontekst më të gjerë, ku kompania “Evita” ka qenë për vite me radhë një nga përfitueset kryesore të fondeve publike në sektorin e shëndetësisë, duke siguruar një numër të konsiderueshëm kontratash me vlerë dhjetëra milionë euro.

Ndryshimet në sistemin e prokurimeve, që kaluan kompetencat nga spitalet individuale te një strukturë e centralizuar si OBP, u prezantuan si një reformë për të rritur transparencën dhe konkurrencën. Megjithatë, praktika e ndjekur në këto dy tendera ka ringjallur debatet mbi efektivitetin e këtij modeli dhe rrezikun e përqendrimit të vendimmarrjes në një institucion të vetëm.
Përveç kontratave të fundit, kompania e Klodian Allajbeut është e përfshirë edhe në disa nga koncesionet më të mëdha në shëndetësinë shqiptare, përfshirë shërbimin e hemodializës dhe laboratorëve, projekte me vlera që arrijnë qindra milionë euro dhe që kanë qenë vazhdimisht objekt kritikash publike për cilësinë dhe koston e shërbimeve.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



