Myzyri i OPB ‘qeras’ me 7.2 milionë € firmën e krijuar nga Vasil Llajo
Një procedurë prokurimi publik me vlerë qindra milionë lekë, e zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), ka nxjerrë në pah pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe konkurrencën në tenderat e shëndetësisë. Kontrata është realizuar për llogari të Spitalit Universitar të Traumës (SUT), ndërsa përfituese kryesore rezulton një kompani e lidhur më herët me deputetin Vasil Llajo.
Bëhet fjalë për tenderin me referencë REF-86962-05-25-2026, me objekt “Blerje materiale konsumi (implante ortopedike) për Shërbimin e Ortopedisë në SUT”, i cili kishte një fond limit prej 575,217,692 lekë pa TVSH për një periudhë 24-mujore.
Sipas dokumentacionit zyrtar, fituese e procedurës është shpallur shoqëria “LAYO” shpk, e mbështetur nga “MEDICAMENTA” shpk. Oferta fituese arrin në 567,192,000 lekë pa TVSH, një shumë që i afrohet ndjeshëm fondit limit të përcaktuar nga OBP.
Në këtë garë morën pjesë tre operatorë ekonomikë, ku edhe dy kompanitë e tjera pjesëmarrëse, “OrthoNet 360” shpk dhe “TRIMED” shpk, paraqitën oferta vetëm pak milionë lekë më të larta. Diferencat minimale mes ofertave kanë ngritur dyshime për nivelin real të konkurrencës në këtë procedurë.
Një tjetër element që shton dyshimet lidhet me historikun e pronësisë së kompanisë fituese. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), “LAYO” shpk ka qenë në pronësi të plotë të deputetit Vasil Llajo, i cili ka zotëruar 100% të aksioneve të saj.
Në qershor të vitit 2025, Llajo rezulton të ketë shitur të gjithë kapitalin e kompanisë shtetases Argita Bojaxhiu për një vlerë prej 150 milionë lekësh. Aktualisht, në dokumente si pronare figuron Bojaxhiu, ndërsa administratore është Blerina Shehu. Megjithatë, kompania vijon të operojë me të njëjtin emër dhe të përfitojë kontrata të konsiderueshme nga fondet publike.
Ky rast ka rikthyer në vëmendje debatet mbi përfshirjen indirekte të figurave politike në përfitimin e tenderave publikë dhe mbi nevojën për rritjen e transparencës dhe garës së ndershme në prokurimet shtetërore, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco








