E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Po mbret, ti je armiku ynë!
OP-ED

Po mbret, ti je armiku ynë!

Mirëmëngjes edhe ty, i dashur mbret. Nuk po të shkruaj si “humbësit e mbetur vetëm me bindjet tona”, por si qytetar pasi je mjeshtër për të  kthyer arrogancën shtetërore në një art të mirëfilltë letrar.

E lexova sagën tënde të gjatë për algoritmet, “hordhitë” e Kosovës e Tetovës, “sorrat kobzeza”, blogerët dhe brekët joshëse. Një prozë e hollë, e denjë për një shkrimtar që kërkon me ngulm të luajë rolin e babait shpirtëror të kombit. Por pas atij stili të kuruar, pas atij xhesti gjoja paternalist ku na shtrin dorën për të na “qarë hallin”, fshihet e vërteta e zhveshur: Po, mbret, ti je armiku ynë!

Ti pyet me një naivitet të shtirur nëse armiku është ai që “përpiqet mes njëmijë vështirësish” apo ata që na lanë mbrëmë si “shishe boshe”. Përgjigjja është e thjeshtë: ata që ikën mbrëmë mund të jenë oportunistë, mund të jenë tregtarë të pakënaqësisë, por ata nuk kanë në dorë fatin tonë. Ti po. Ndaj, shigjeta e zemërimit nuk lëviz gjetkë. Ajo mbetet tek ti.

Ti je armiku i përditshmërisë sonë

Ti thua se na kupton brengën për nënën e sëmurë, për tokën e paregjistruar, për pronarin që na trajton si robotë. Sa prekëse! Por kush e ka qeverisur këtë vend për më shumë se një dekadë? Kush e ka ndërtuar sistemin ku nëpunësi dhe drejtori “të shërbejnë ty pa kushte, ndërsa qytetarit nuk i hedhin sytë”?

 Ti je armiku, sepse ke krijuar një sistem ku suksesi nuk varet nga puna, por nga tarafi i Gysit, Belës dhe ‘Dallëndysheve’  të partisë.

 Ti je armiku, sepse ndërsa ne numërojmë qindarkat për ilaçet e shtrenjta, paratë e taksave tona shkojnë për inceneratorë fantazmë dhe koncesione që kontrollohen nga miqtë e tu.

 Ti je armiku, sepse na fton të bëhemi “shqiptarë që ndezin një qiri”, ndërkohë që ti ke fikur dritat e shpresës për një brez të tërë që rrugën e vetme të shpëtimit sheh gomonen ose aeroportin e Rinasit.

Në rreshtat e tu ka një moment gati komik, ku ti barazon vetminë tënde me tonën. Na thua se edhe ti zgjohesh me shijen e zbrazët të tradhëtisë nga vartësit që “kërkojnë lekë nën dorë” dhe “e bëjnë karrigen uturak”.

Ky është kulmi i hipokrizisë. Ti nuk je viktimë e vartësve të tu, o mbret. Ti je arkitekti i tyre! Ti i zgjodhje, ti i promovove, ti i mbrojthe derisa dyert e SPAK-ut u hapën për t’i marrë një e nga një bashkë me Belat. Të na shesësh tradhëtinë e bashkëpunëtorëve të tu si një dhimbje të përbashkët me hallin tonë ekzistencial, është fyerje për inteligjencën e çdo shqiptari. Ti ke pushtetin absolut me Zegjinera, Saramilet e  bandave, ndërsa ne kemi vetëm pasojat  pushteti tënd.

“Unë sot jam e vetmja pengesë mes këtij vendi e teje dhe të këqijave të mëdha…” – shkruan ti.

Kjo është formula klasike e çdo autokrati: “Pas meje vjen kiameti”. Ti përpiqesh të na mbushësh mendjen se pa ty Shqipëria do të gllabërohet nga errësira, duke harruar se errësira më e madhe është ajo që detyron një popull të pranojë varfërinë dhe nënshtrimin si të vetmen rrugë dhe të largohet nga sytë këmbët.

Në fund të asaj letrës tënde plot helëm të sheqerosur, na bën një ftesë: “Eja tek unë”.

Jo, zoti Kryeministër. Nuk vijmë tek ti. Sepse të vish tek ti do të thotë të pranosh që ky vend ka vetëm një pronar dhe nja 10 okigarkë që kontrollojnë dhe prasin e trangullin që hamë ne. Të vish tek ti do të thotë të ulesh në gjunjë përpara të njëjtit njeri që na ka sjellë në këtë pikë buzë humnere.

Ti nuk je miku ynë. Miku nuk të lë pa bukë e pastaj të ofron thërrime si akt mëshire. Miku nuk të quan “pjesë të hordhive” nëse vjen nga Kosova a Tetova për të ngritur zërin në Tiranë. Miku nuk të bullizon me ironi digjitale kur ti del në shesh për dinjitet.

Vazhdo shkruaj editorialet e tua të mëngjesit, o mbret. Shijo “energjinë e mirë” të oborrtarëve të tu që të rrethojnë. Fto edhe Gys Agasin pér një gotë verë në ‘kopështin e e kuplarasë’. Por mos u gënje nga heshtja e sheshit të zbrazur të mëngjesit. Ajo nuk është dorëzim. Është thjesht pauza përpara se dallga tjetër të kthehet. Dhe kur të kthehet, as algoritmet dhe as proza jote e gjatë nuk do të të shpëtojnë dot nga e vërteta: Ti je ai që na përçan, ti je ai që na varfëron. Po, mbret, ti je armiku ynë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.