Shpërndanin drogë në plazhet e Durrësit, policia kap ‘mat’ dy të rinjtë
Një tjetër operacion antidrogë është finalizuar me sukses në qytetin e Durrësit, duke goditur shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonat bregdetare dhe përreth tyre.
Si rezultat i ndërhyrjes së strukturave të specializuara, janë arrestuar dy persona të dyshuar si të përfshirë në aktivitet kriminal. Në pranga ranë Detar Rama, 33 vjeç, dhe Kadri Xhani, 27 vjeç, të dy banues në Durrës.
Gjatë operacionit, forcat e policisë sekuestruan mbi 100 doza të ndara gati për shitje, të dyshuara si kokainë dhe cannabis sativa. Po ashtu, u gjetën dhe u konfiskuan një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm, dy armë të ftohta (një shkop bejsbolli dhe një thikë), si dhe tre telefona celularë.
Operacioni, i koduar “The Hill 2”, u zhvillua nga specialistët për hetimin e narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Ndërhyrja u realizua në fshatin Rrashbull, ku dy të dyshuarit u kapën në flagrancë.
Sipas hetimeve paraprake, ata vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërndarë lëndë narkotike në zona të ndryshme, përfshirë edhe plazhet e Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për vijimin e hetimeve. Dy të arrestuarit përballen me akuzat për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” në bashkëpunim, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet dhe operacionet kundër shpërndarjes së drogës do të vijojnë me intensitet, me fokus të veçantë zonat turistike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



