Ishin në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Durrës
Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në fushën e narkotikëve janë arrestuar në qarkun e Durrësit, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Operacioni i koduar “Implikimi” u finalizua falë koordinimit të informacionit me autoritetet në Itali dhe Spanjë, me objektiv kapjen e personave të kërkuar për trafik droge dhe aktivitete kriminale.
Njëri prej të arrestuarve është Enkelet Avduli, 46 vjeç, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”. Ai ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjës me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burg për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Gjatë të njëjtit operacion u arrestua edhe Sadik Kasa, 38 vjeç, i lokalizuar në fshatin Sukth i Ri. Ai kërkohej nga autoritetet spanjolle, të cilat i kishin caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Itali dhe Spanjë, po vijon procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt vendeve ku janë shpallur në kërkim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



