E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Celibashi merr vendimin, lë në detyrë Hajdarin e Kuçovës
Lajme

Celibashi merr vendimin, lë në detyrë Hajdarin e Kuçovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që Kreshnik Hajdari të vijojë detyrën si kryetar i Bashkisë Kuçovë, pavarësisht dënimit të mëparshëm penal. Në korrik të vitit 2024, Hajdari u dënua me vendim të formës së prerë me 6 muaj burg për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, dënim që më pas u konvertua në shërbim prove përmes punës në komunitet.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, sqaroi se institucioni ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore për rishqyrtimin e çështjes, duke administruar dokumentacionin e kërkuar nga organet përkatëse. Sipas tij, nuk ka pasur materiale shtesë përtej vendimeve të institucioneve që kanë trajtuar këtë rast, përfshirë KQZ-në, KAS-in, Kolegjin Zgjedhor dhe gjykatat kompetente.

Celibashi theksoi se ekziston një vendim penal për çështjen në fjalë, i cili ka përcaktuar masën e dënimit dhe mënyrën e ekzekutimit të saj përmes shërbimit në komunitet. Ai shtoi se interpretimi ligjor i nenit 63 nuk e vendos subjektin në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksione publike.

Sipas tij, në rastet kur zbatohet ky nen, dënimi konsiderohet i paqenë nga pikëpamja juridike, çka do të thotë se nuk prodhon pasoja ndaluese për mbajtjen e një posti publik. Ky qëndrim, nënvizoi Celibashi, është në përputhje edhe me precedentë të mëparshëm të shqyrtuar nga institucionet zgjedhore.

Në përfundim, KQZ vlerëson se Kreshnik Hajdari nuk ndodhet në kushtet ligjore që do ta pengonin të vijojë detyrën si kryebashkiak i Kuçovës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.