E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KQZ i kërkon PS dhe PD votim e numërim elektronik në 3-4 bashki
Lajme

KQZ i kërkon PS dhe PD votim e numërim elektronik në 3-4 bashki

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur zyrtarisht hapin e parë për zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke nisur konsultimet me partitë politike.

Përmes një shkrese zyrtare të siguruar nga VNA, të nënshkruar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, KQZ u propozon forcave politike që teknologjia të përdoret në disa prej bashkive më të mëdha të vendit.

Nisma është ndërmarrë, sipas shkresës, “në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe në funksion të modernizimit të proceseve zgjedhore”.

Pas vlerësimit të faktorëve teknikë, logjistikë dhe administrativë, KQZ vlerëson se një shtrirje e pjesshme e teknologjisë do të ishte qasja më e përshtatshme për procesin e ardhshëm zgjedhor.

Në dokument thuhet:

“Duke marrë në konsideratë aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën për implementim të qëndrueshëm dhe në kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se një shtrirje në 3 apo 4 bashki të mëdha përbën një qasje të arsyeshme dhe proporcionale.”

KQZ kërkon dakordësi nga partitë

Për realizimin e projektit, KQZ nënvizon nevojën për një dakordësi të gjerë politike.

Në shkresë, Celibashi thekson se “çdo vendimmarrje për zgjerimin e këtij procesi duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike”.

Pikërisht për këtë arsye, subjektet politike ftohen të shprehin qëndrimin e tyre zyrtar kohë përpara zhvillimit të zgjedhjeve.

KQZ ka kërkuar gjithashtu që partitë të caktojnë përfaqësuesit e tyre për një takim të përbashkët konsultues, ku pritet të diskutohen detajet e propozimit dhe hapat e mëtejshëm.

“Kërkojmë nga ana juaj të caktoni përfaqësuesin/t tuaj për të marrë pjesë në një takim konsultues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ditën e premte, datë 9 tetor 2026, në orën 11:30”, thuhet në kërkesën zyrtare.

Partive u kërkohet gjithashtu të konfirmojnë pjesëmarrjen përmes adresës elektronike zyrtare të institucionit.

PS, PD dhe partitë e tjera në tryezën e konsultimeve

Shkresa u është dërguar një spektri të gjerë të subjekteve politike, mes tyre Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë, Partisë Socialdemokrate, si dhe forcave të tjera parlamentare dhe joparlamentare.

Në këtë fazë, KQZ nuk ka përcaktuar ende bashkitë ku do të aplikohej votimi dhe numërimi elektronik. Propozimi i bërë në shkresë është për një shtrirje në 3 ose 4 bashki të mëdha, ndërsa përcaktimi konkret dhe vendimmarrja përfundimtare mbeten pjesë e procesit të konsultimit.

KQZ e ka përfshirë votimin dhe numërimin elektronik ndër çështjet e modernizimit të proceseve zgjedhore. Në raportimin e saj për veprimtarinë e vitit 2025, institucioni e renditi modernizimin e proceseve zgjedhore ndër drejtimet e punës, ndërsa votimi dhe numërimi elektronik janë diskutuar edhe në kuadër të reformës zgjedhore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.