E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestim befasues në Durrës, BKH arreston të shumëkërkuarin Adi Çobo
Lajme

Arrestim befasues në Durrës, BKH arreston të shumëkërkuarin Adi Çobo

Byroja Kombëtare e Hetimit vepron pa paralajmërim, aksioni lë “në hije” Policinë e Shtetit

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë arrestuar në Durrës shtetasin Adi Çobo Bazholi, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për përfshirje në grup kriminal dhe trafik droge.

Sipas burimeve, i arrestuari fshihej në një banesë në qytetin bregdetar. Ai rezulton i përfshirë në dosjen “Ura”, ku përmendet së bashku me Elvis Doçin, i njohur si “Visi i Pojës”.

Operacioni për kapjen e tij konsiderohet i pazakontë, pasi është realizuar pa përfshirjen e Policisë së Shtetit. Ky është rasti i parë i këtij lloji, ku BKH ndërhyn drejtpërdrejt për të ekzekutuar një urdhër arresti, vetëm pak orë pasi drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, paralajmëroi në Kuvend për një qasje të re në këtë drejtim.

Në deklaratën e tij, Braho theksoi mungesën e kapaciteteve aktuale për arrestimin e personave në kërkim dhe la të kuptohet se po shqyrtohen alternativa të reja operacionale:

“Nuk ka kapacitet operacionale që SPAK sot të bëjë arrestime të personave në kërkim. Siç është fenomen shqetësues për ju, mund të jetë edhe për ne. Kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë apo të dënuar në mungesë. E kemi ngritur vazhdimisht këtë shqetësim. A kemi një strategji? Është herët s’dua të bëj diçka publike sot, por ajo që mund të them është se po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK që të jetë i aftë ti bëj vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, u shpreh ai.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se ndërhyrja direkte e BKH në Durrës mund të ketë ardhur si pasojë e dyshimeve për lidhje të mundshme të këtij grupi me elementë brenda strukturave të Policisë së Shtetit, çka mund të rrezikonte dekonspirimin e operacionit.

Rasti vjen në një kohë kur disa persona të shpallur në kërkim në dosje të rëndësishme, përfshirë edhe atë të AKSHI-t, dyshohet se lëvizin lirshëm në Tiranë dhe Durrës, pavarësisht masave të sigurisë të vendosura nga SPAK.

Megjithatë, më shumë sesa vetë arrestimi i një të dyshuari për trafik ndërkombëtar droge, vëmendjen e ka marrë mënyra se si u realizua operacioni. Ky zhvillim shihet si një sinjal i fortë institucional, që tregon se BKH mund të veprojë në mënyrë të pavarur për arrestimin e personave në kërkim.

Mesazhi që përcillet nga ky veprim është i qartë: individë me peshë apo lidhje të forta mund të përballen me arrestim në çdo moment pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, edhe pa dijeninë paraprake të Policisë së Shtetit.

Kjo e bën ndërhyrjen e fundit jo vetëm një operacion të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe një precedent të ri në mënyrën e funksionimit të institucioneve ligjzbatuese në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.