Ndalimi i tre deputetëve të VLEN, Hita: Ja pse nuk kaluan
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar lidhur me rastin e tre deputetëve të koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se ndaj tyre nuk ka pasur asnjë pengesë për hyrjen në territorin shqiptar.
Në një konferencë për mediat, Hita sqaroi se në pikën kufitare të Qafë Thanës ishin paraqitur katër persona, mes tyre edhe tre deputetët që dispononin pasaporta diplomatike. Sipas tij, tre deputetëve u është bërë e ditur se mund të vijonin udhëtimin, ndërsa një person që i shoqëronte nuk plotësonte kushtet për të hyrë në Shqipëri.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit, pas ndalimit të këtij personi, edhe tre deputetët kanë vendosur të mos vazhdojnë rrugëtimin dhe janë kthyer drejt Maqedonisë së Veriut.
“Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare veprojnë në bazë të ligjit. Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur 4 shtetas me qëllim për të kaluar kufirin. Tre prej tyre, të cilët dispononin edhe pasaporta diplomatike, u është bërë me dije që mund të vazhdonin udhëtimin, por një person i shoqëruar me ta, që kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Shqipërisë”, deklaroi Hita.
Ai shtoi se vendimi për t’u kthyer pas në Maqedoninë e Veriut ka qenë i vetë tre deputetëve dhe se rasti nuk përbën një trajtim të veçantë, por është pjesë e procedurave normale të kontrollit kufitar.
“Në këtë kuadër edhe tre personat nuk kanë pranuar të vazhdojnë udhëtimin dhe janë rikthyer për në Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk është rast i veçuar, kjo është puna e policisë”, u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



