Shpërthen Enxhi Nasufi: Mos bëni zë kur t’ju vënë këmbën në fyt
Debati për përdorimin e miliona eurove nga buxheti i shtetit për koncertin e Kanye West në Tiranë ka marrë një tjetër dimension, pasi këngëtarja dhe moderatorja Enxhi Nasufi ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke kritikuar hapur qëndrimin e shoqërisë.
Në një reagim pa filtra në Instastory, ajo e cilëson situatën si një kontrast të fortë mes realitetit të vështirë që përjetojnë qytetarët dhe entuziazmit për një event luksoz, i cili sipas saj është financuar me para publike, madje nga fondet e emergjencave.
Nasufi ka vënë në shënjestër jo vetëm vendimmarrjen, por edhe atë që e konsideron mungesë ndërgjegjësimi dhe reagimi nga ana e qytetarëve, duke theksuar se heshtja përballë këtyre zhvillimeve është një formë pranimi.
Në mesazhin e saj, ajo shprehet:
“Po mirë, pak respekt keni për veten? 4 milionë euro nga lekët e emergjencës dhe ju hidheni për Kanye? Po jashtë shtetit nuk e shihnit dot? Të paktën një herë të vetme tregoni dinjitet dhe vetëdije kolektive. Mos u çudisni pastaj kur ju quajnë dele… Ka njerëz që ende presin shtëpitë e tërmetit, ndërsa ju festoni.”
Ajo shkon edhe më tej, duke paralajmëruar për pasojat e një shoqërie që, sipas saj, zgjedh të mos reagojë:
“Kur t’ju vënë këmbën në fyt më fort, mos bëni zë.”
Përmes këtij reagimi të fortë, Nasufi nënkupton se pranimi i heshtur i shpenzimeve të tilla, në një kohë kur shumë probleme sociale mbeten të pazgjidhura, është një shenjë dorëzimi dhe mungese përgjegjësie kolektive.
Deklarata e saj ka ndezur reagime të shumta në rrjet, duke thelluar më tej debatin mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe rolin e qytetarëve në përballjen me vendime të diskutueshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



