E diel, 1 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga gruri serb te buka në tryezë, eksperti ngre alarmin për bukën që po konsumojmë
Denoncime

Nga gruri serb te buka në tryezë, eksperti ngre alarmin për bukën që po konsumojmë

Buka e zezë ngjyroset, mielli i dobët fryhet me aditivë

Buka është një nga produktet më të konsumuara në tryezat shqiptare, por mënyra se si prodhohet dhe cilësia e lëndës së parë që përdoret për të po ngre shqetësime serioze. Gruri me përmbajtje të ulët proteinash dhe gluteni, mielli i destinuar për ëmbëlsira që përfundon në prodhimin e bukës, si dhe përdorimi i ngjyruesve për t’i dhënë asaj pamjen e një produkti integral, janë disa nga problematikat e denoncuara nga eksperti i drithërave, Abdyl Sinani.

Me një përvojë 40-vjeçare në këtë sektor, Sinani vë në diskutim praktikat e ndjekura nga disa prej fabrikave të miellit në Shqipëri, duke paralajmëruar se çmimi më i ulët i grurit mund të jetë një nga arsyet që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e miellit dhe, rrjedhimisht, të bukës që mbërrin te konsumatori.

Një nga të dhënat që ngre më shumë pikëpyetje lidhet me importet. Serbia renditet në vendin e parë për sasinë e drithërave që furnizojnë tregun shqiptar, ndërsa, sipas të dhënave të përmendura nga eksperti, mbi 60% e grurit të destinuar për konsum njerëzor vjen nga ky shtet.

Megjithatë, Sinani thekson se problemi nuk është domosdoshmërisht vendi nga i cili importohet gruri, por cilësia e produktit që përzgjidhet nga fabrikat shqiptare. Sipas tij, për arsye ekonomike, në disa raste preferohet gruri me përmbajtje më të ulët gluteni dhe proteinash, pasi blihet me çmim më të lirë në tregjet ndërkombëtare.

Problemi, sipas ekspertit, nis kur ky miell, i cili normalisht përdoret për prodhimin e ëmbëlsirave dhe biskotave, shfrytëzohet edhe për bukë. Për ta kompensuar cilësinë e dobët dhe për të arritur fryrjen e dëshiruar të produktit, atij i shtohen aditivë.

“Këtu ka një mashtrim apo falsifikim. Ne pranojmë miellin për ëmbëlsira me gluten të ulët dhe e përdorim për bukë, e më pas i hedhim aditivë që të bëhet i fryrë. Gjithmonë në tregun botëror ky grurë ka çmim më të ulët dhe prandaj e përdorin edhe për bukë”, deklaron Abdyl Sinani.

Buka e zezë, jo gjithmonë nga mielli integral

Një tjetër shqetësim i ngritur nga eksperti lidhet me bukën e zezë, e cila nga konsumatorët shpesh perceptohet si një alternativë më e shëndetshme ndaj bukës së bardhë.

Sipas Sinanit, në disa raste ngjyra e errët nuk vjen nga përdorimi i miellit integral apo i miellit natyral me krunde, por nga shtimi i ngjyruesve në miellin e bardhë. Kjo praktikë, nëse konfirmohet, mund të krijojë një perceptim të gabuar te konsumatori për përbërjen dhe vlerat ushqyese të produktit që blen.

“Ngjyrues përdorin te buka e zezë. E marrin këtë ngjyrues dhe te mielli i bardhë, që është rreze 70, i hedhin ngjyrues që e bën të errët”, shprehet eksperti.

Pra, një bukë që shitet dhe perceptohet si e zezë nuk është domosdoshmërisht e prodhuar nga mielli integral. Për këtë arsye, përbërja reale e produktit dhe informacioni që i jepet blerësit bëhen thelbësore.

Alarmi për grurin nga Serbia: Rreziku i mykotoksinave

Sinani ngre shqetësime edhe për kushtet në të cilat ruhet gruri dhe mielli i importuar nga Serbia. Sipas tij, magazinimi në ambiente dhe kushte të papërshtatshme mund të krijojë terren për zhvillimin e mykotoksinave, substanca toksike që prodhohen nga disa lloje myqesh dhe që mund të përbëjnë rrezik serioz për shëndetin.

Eksperti kërkon që kjo çështje të mos anashkalohet, por të verifikohet përmes analizave laboratorike, veçanërisht për produktet që hyjnë në zinxhirin ushqimor.

“Ka pasur shumë probleme për miellin që vjen nga Serbia, sepse nga ruajtja e keqe tek ai formohen mykotoksina që janë kancerogjene dhe kjo duhet parë dhe analizuar”, deklaron Sinani.

Buka që mund të jetë e papërshtatshme për konsum

Një tjetër problematikë që ai vë në dukje lidhet me përpunimin e miellit dhe rrezikun e shfaqjes së asaj që njihet si sëmundja e patates në bukë. Sinani përmend raste të evidentuara në Lushnjë dhe Berat, duke paralajmëruar se produktet e prekura nuk duhet të përfundojnë në tryezat e konsumatorëve.

Sipas tij, në vend që buka e dëmtuar të hiqet nga qarkullimi, mund të tentohet ndërhyrja përmes shtimit të aciditetit, një praktikë që ai e konsideron shqetësuese.

“Ka mundësi që mielli që nuk përpunohet tamam, atëherë të krijojë një sëmundje, atë të patates, dhe kjo ka ndodhur në Lushnjë, në Berat. Kjo bukë duhet hedhur, ose e rregullojnë duke i hedhur aciditet”, thotë Sinani.

Ku janë kontrollet e sigurisë ushqimore?

Përballë këtyre pretendimeve, çështja që kërkon përgjigje është kontrolli i lëndës së parë që importohet dhe i produktit që përfundon në treg. Sinani kërkon që çdo ngarkesë gruri dhe mielli që hyn në Shqipëri t’i nënshtrohet analizave përkatëse, në mënyrë që cilësia dhe siguria e tyre të mos mbeten vetëm në deklarimet e operatorëve ekonomikë.

Shqetësimet e ngritura prekin disa hallka të zinxhirit ushqimor: nga përzgjedhja e grurit dhe kushtet e magazinimit, te përpunimi industrial, përdorimi i aditivëve dhe ngjyruesve, e deri te kontrolli përfundimtar i bukës që shitet çdo ditë.

Në këtë situatë, mbetet e domosdoshme që institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore të verifikojnë pretendimet e ekspertit përmes inspektimeve dhe analizave laboratorike, si dhe të bëjnë transparente rezultatet e kontrolleve.

Në fund të fundit, konsumatori ka të drejtë të dijë nëse buka që blen është prodhuar nga mielli që i korrespondon cilësisë së reklamuar, apo nëse pamja e saj fsheh një produkt krejt tjetër nga ai që beson se po konsumon.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.