Demokratët Europianë “shuplakë” Ramës: Tortura nuk ka vend në Europë!
Demokratët Europianë kanë reaguar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si u menaxhua tubimi nga autoritetet dhe për pretendimet e organizatave që monitorojnë parandalimin e torturës. Sipas këtyre pretendimeve, gjatë ndërhyrjes së policisë janë evidentuar raste të përdorimit të tepruar të forcës, keqtrajtimit dhe ndalimeve arbitrare të protestuesve.
Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e Demokratëve Europianë dënojnë pa rezerva dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të policisë dhe grave. Megjithatë, ata nënvizojnë se asnjë akt dhune nuk mund të justifikojë abuzimin me pushtetin apo trajtimin çnjerëzor të qytetarëve nga institucionet shtetërore.
Mesazhi i tyre i drejtohet drejtpërdrejt qeverisë së kryeministrit Edi Rama, së cilës i kërkohet të sigurojë një proces të paanshëm hetimor për të gjitha pretendimet e ngritura. Demokratët Europianë kërkojnë gjithashtu që çdo person përgjegjës për shkelje të mundshme të japë llogari dhe që ndërhyrjet policore gjatë protestave të mbështeten në përdorimin e domosdoshëm dhe proporcional të forcës.
Në reagim vihet theksi te respektimi i të drejtave dhe lirive themelore, duke kujtuar se ndalimi i torturës është një parim që nuk mund të vihet në diskutim apo të anashkalohet në asnjë rrethanë.
“Tortura nuk ka vend në Europë”, është mesazhi përmbyllës i Demokratëve Europianë, të cilët kërkojnë që pretendimet për shkelje gjatë protestës të marrin përgjigje përmes hetimeve dhe përgjegjësisë institucionale.
Reagimi i plotë:
“Dje në Shqipëri, organizatat kundër torturës ngritën akuza serioze për përdorim të tepruar të forcës, keqtrajtim dhe ndalime arbitrare gjatë protestave.
Dhuna ndaj efektivëve të policisë dhe grave duhet të dënohet me vendosmëri dhe pa asnjë ekuivok. Por asnjë shtet nuk mund t’i përgjigjet dhunës me abuzim apo torturë.
Qeveria e Edi Ramës duhet të garantojë hetime të pavarura, vënie para përgjegjësisë dhe përdorim proporcional të forcës nga policia.
Tortura nuk ka vend në Europë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



