Apeli i fortë i Policisë: Mos ndizni zjarre, rrezikoni jetën dhe pronën
Rritja e rasteve të zjarrvënieve në vend ka vënë në alarm autoritetet, ndërsa Policia e Shtetit bën me dije se gjatë një muaji e gjysmë janë arrestuar ose proceduar penalisht 29 persona, të dyshuar si autorë të zjarreve në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Vetëm në 24 orët e fundit janë identifikuar tre raste të reja në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër. Sipas policisë, dy prej autorëve të dyshuar janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.
Në Kavajë, një 51-vjeçar u vu në pranga pasi zjarri që kishte ndezur në pronën e tij doli jashtë kontrollit, duke përfshirë kullota dhe duke djegur rreth 300 pemë agrumesh dhe ullinjsh. Dëmet e shkaktuara konsiderohen të mëdha për zonën bujqësore.
Një rast i ngjashëm u regjistrua edhe në Vorë, ku një 43-vjeçar përfundoi në pranga pasi dyshohet se i vuri flakën një sipërfaqeje toke, duke shkaktuar djegien e një parcele të mbjellë me pemë frutore.
Ndërkohë, në Mallakastër është nisur procedim penal ndaj një 39-vjeçari. Sipas hetimeve paraprake, zjarri u shkaktua nga shkëndija elektrike gjatë tërheqjes së një automjeti me karrotrec, duke përfshirë flakët dhjetëra pemë arre.
Policia e Shtetit apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, fermerët dhe pronarët e tokave, duke theksuar se ndezja e zjarreve apo djegia e mbetjeve në sipërfaqe bujqësore përbën vepër penale dhe mund të sjellë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të dyshuar për zjarrvënie, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë nga strukturat përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



