Shefja e financës ‘zbërthen’ skemën: Paratë i mori drejtoresha!
Skandali me zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës po merr përmasa edhe më të rënda, teksa nga seanca gjyqësore kanë dalë detaje dhe akuza të forta mes vetë zyrtareve të arrestuara.
Tre punonjëse të institucionit janë vënë në pranga dhe pritet që gjykata të vendosë për masën e sigurisë ndaj tyre, ndërsa Prokuroria e Durrësit ka kërkuar “arrest me burg”. Nga ana tjetër, mbrojtja ka insistuar për një masë më të lehtë, duke propozuar “detyrim paraqitjeje”.
Gjatë seancës, shefja e financës në filial, Valbona Hoti Duni, ka bërë një deklaratë që pritet të ndikojë ndjeshëm në hetim. Ajo ka mohuar të ketë përvetësuar shumën e konsiderueshme dhe ka hedhur përgjegjësinë mbi drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, duke pretenduar se paratë janë marrë prej saj në ambientet e zyrës.
Nga ana tjetër, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për fatin e shumës së zhdukur. E pyetur drejtpërdrejt nga gjykata se ku kanë përfunduar 69 milionë lekët, ajo është shprehur se nuk ka dijeni për destinacionin e tyre, duke shtuar më shumë pikëpyetje mbi këtë çështje.
Sipas hetimeve paraprake, tre zyrtaret dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk kanë kryer arkëtimet përkatëse në degët e Shijakut dhe Krujës. Bëhet fjalë për një shumë të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, çka e bën edhe më të rëndë këtë skandal me pasoja direkte për qytetarët.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se janë sekuestruar dokumente financiare dhe po kryhen verifikime të detajuara për të kuptuar mekanizmin e zhdukjes së parave, si dhe për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë skemë.
Autoritetet po fokusohen gjithashtu në gjurmimin e destinacionit përfundimtar të shumës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që rasti të zgjerohet me persona të tjerë të dyshuar.
Ky episod ka ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin financiar dhe sigurinë e fondeve publike, sidomos kur bëhet fjalë për para që u përkasin kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



