E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bruna e Vlorës i jep 3.5 mln € kompanisë me ofertën më të shtrenjtë
Lajme

Bruna e Vlorës i jep 3.5 mln € kompanisë me ofertën më të shtrenjtë

Bashkia e Vlorës ka zhvilluar një procedurë tenderuese për rikualifikimin urban të zonës së njohur si “Blloku i Orizit”, me një fond limit që arrin në rreth 3.5 milionë euro. Procesi ka tërhequr vëmendje për mënyrën se si janë administruar ofertat dhe për përzgjedhjen përfundimtare të fituesit.

Projekti parashikon ndërhyrje në rrjetin elektrik, përmirësimin e ndriçimit publik si dhe rehabilitimin e fasadave të banesave në hapësirën mes rrugëve “Fatos Arapi”, “Hasan Kushta”, “Ismail Qemali” dhe “Misto Mele”, një ndër zonat më të populluara të qytetit.

Në lotin e parë, me një fond prej 208 milionë lekësh të reja, morën pjesë shtatë kompani. Nga këto, gjashtë u përjashtuan gjatë fazës së vlerësimit, ndërsa kontrata iu dha subjektit “Zdrava”, i cili paraqiti ofertën më të lartë në garë, afër kufirit maksimal të fondit. Ndërkohë, disa operatorë të tjerë kishin paraqitur oferta ndjeshëm më të ulëta, duke krijuar diferenca të konsiderueshme në aspektin ekonomik.

Një skenar i ngjashëm u ndoq edhe për lotin e dytë, me fond limit 142 milionë lekë të reja. Nga gjashtë pjesëmarrës, pesë u skualifikuan, duke lënë sërish në garë vetëm kompaninë “Zdrava”, e cila u shpall fituese. Edhe në këtë rast, oferta e përzgjedhur nuk ishte më e ulëta, pasi kishte alternativa më ekonomike nga operatorë të tjerë që u përjashtuan gjatë procedurës.

Fakti që të dyja kontratat përfunduan te i njëjti operator, ndërkohë që ofertat më të favorshme financiarisht u eliminuan, ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe logjikën e ndjekur në këtë proces. Po ashtu, mbetet e paqartë arsyeja e ndarjes së tenderit në dy lote, kur përfundimisht të dyja u fituan nga e njëjta kompani.

Shoqëria “Zdrava”, në pronësi të disa ortakëve privatë dhe me administrator Dashnor Sinanajn, rezulton një nga përfitueset më të shpeshta të fondeve publike në vend. Në vitet e fundit, ajo ka siguruar një numër të konsiderueshëm kontratash, me një vlerë totale që tejkalon disa miliona euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.