VIDEO/ Pamjet tronditëse, momenti kur betonierja bie nga mbikalimi
Janë publikuar pamje të rënda nga aksidenti tragjik i ndodhur mesditën e së mërkurës në rrethrrotullimin e TEG-ut në Tiranë, ku humbën jetën dy persona që udhëtonin me një kamion pompë betoni.
Nga sekuencat e siguruara, mjeti i rëndë shihet teksa futet në mbikalim me shpejtësi të lartë, përplaset me një automjet tip “Audi” dhe më pas thyen barrierat metalike mbrojtëse, duke përfunduar jashtë rrugës dhe rënë nga mbikalimi.
Sipas burimeve, viktimat janë dy shtetas të huaj me origjinë nga Egjipti, të cilët ndodheshin në betonierë. Identiteti i tyre nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat e verifikimit.
Njëri prej tyre humbi jetën në vendngjarje si pasojë e përplasjes së fortë, ndërsa tjetri ndërroi jetë në spital disa orë më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Nga përplasja mbeti i plagosur edhe drejtuesi i automjetit “Audi”, 28-vjeçari me inicialet R.N., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Rrethanat e plota të këtij aksidenti fatal mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor po punon intensivisht për të zbardhur shkakun dhe dinamikën e saktë të ngjarjes.
Ky segment rrugor ka qenë edhe më herët skenë e aksidenteve të rënda. Rreth tre vite më parë, në të njëjtin mbikalim, një tjetër automjet tip “Audi” ra nga lartësia, duke shkaktuar një tragjedi ku humbën jetën tre të rinj: Erisilda Abedini, Sikela Përroi dhe Klevis Ruçaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



