Vrau ish-vjehrrin, autori shpërthen mes lotëve ndaj familjes së ish-gruas
35-vjeçari: Ata ma kanë bërë, më kanë marrë 730 mijë paund
Operacioni për kapjen e 35-vjeçarit Nertil Buzi vijon me intensitet të lartë, ndërsa forcat speciale kanë blinduar zonën ku dyshohet se ai po fshihet, duke i bërë thirrje të dorëzohet.
Autori i dyshuar i krimit të rëndë në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, i cili është ende në arrati dhe i armatosur me armë gjahu, pretendon se ka humbur një shumë të konsiderueshme prej 730 mijë paundësh, për të cilën fajëson familjarët e ish-partneres së tij.
Mësohet se 35-vjeçari është shfaqur në gjendje të rënduar emocionale, duke qarë dhe duke deklaruar: “Ata ma kanë bërë, më kanë marrë 730 mijë paund”.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur Buzi qëlloi me armë zjarri ish-vjehrrin e tij, 55-vjeçarin Arben Plaka, i cili humbi jetën, ndërsa plagosi ish-vjehrrën, Belere Plaka.
Pas krimit, ai u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë peng edhe ish-partneren, të cilën e mbajti për disa orë, përpara se ta linte të lirë, pas ndërhyrjes dhe rrethimit të zonës nga forcat RENEA.
Në operacion janë përfshirë struktura të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë Forcën e Posaçme Operacionale, RENEA, FNSH dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier. Kërkimet janë përqendruar në zonën e fshatit Çerven, në kufi me Mallakastrën, pranë Drenies, ku dyshohet se autori mund të jetë strehuar.
Kontrollet po zhvillohen si në terren, ashtu edhe nga ajri me përdorimin e dronëve, ndërsa policia vijon ndjekjen intensive dhe u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke raportuar çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e autorit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



