Aksident në Peqin–Elbasan, përplasen tre automjete, dy të lënduar
Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 09:10 të mëngjesit të kësaj të diele në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, pranë fshatit Gjocaj. Ngjarja ka shkaktuar dëme materiale dhe lëndime të lehta, por fatmirësisht pa pasoja fatale.

Sipas burimeve nga vendngjarja, në aksident janë përfshirë tri automjete, dy prej të cilave kanë pësuar dëmtime të pjesshme. Përplasja ka ndodhur në një nga rrugët hyrëse që lidhen me aksin kryesor, në zonën rurale pranë qytetit të Peqinit.

Si pasojë, dy persona kanë marrë lëndime të lehta dhe janë asistuar menjëherë, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitet shqetësuese. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë bërë të mundur normalizimin e shpejtë të qarkullimit, pavarësisht fluksit të lartë të mjeteve në këtë segment.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


