E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulim i rrallë në Selenicë, zbulohet një çezmë 500-vjeçare
Lajme

Zbulim i rrallë në Selenicë, zbulohet një çezmë 500-vjeçare

Një gjurmë e rëndësishme e trashëgimisë historike është zbuluar në fshatin Rromës të Bashkisë Selenicë, ku gjatë punimeve për ndërtimin e një depoje uji janë zbuluar rrënojat e një çezme të lashtë me vlera arkeologjike.

Zbulimi është bërë i mundur pas njoftimit të banorëve të zonës, të cilët kanë informuar institucionet përgjegjëse për strukturën e dalë në pah gjatë punimeve. Pas sinjalizimit, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë kanë kryer inspektimin në terren dhe kanë dokumentuar elementët e objektit të zbuluar.

Sipas ekspertëve, struktura e çezmës ruan disa elementë karakteristikë të ndërtimeve të periudhës së hershme osmane, përfshirë një sistem tubacionesh prej qeramike për furnizimin me ujë, kanale për largimin e ujërave, si dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje.

Nga vlerësimi paraprak i teknikës së ndërtimit dhe materialeve të gjetura në zonë, specialistët mendojnë se kjo çezmë i përket shekujve XV–XVI, periudhë që përkon me shtrirjen e hershme të administrimit osman në trevat shqiptare.

Ekspertët e konsiderojnë këtë zbulim një dëshmi me rëndësi për historinë e zonës dhe mënyrën e organizimit të jetës së komuniteteve të hershme në fshatin Rromës. Sipas tyre, ruajtja e këtij objekti u bë e mundur falë reagimit të banorëve dhe bashkëpunimit me institucionet e trashëgimisë kulturore.

Çezma e zbuluar pritet të vijojë të studiohet më tej nga specialistët, me qëllim përcaktimin më të saktë të historisë së saj dhe vlerësimin e mundësive për konservimin e saj si një dëshmi e trashëgimisë lokale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.