E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U arrestua në Francë, denoncimi: Ermal Beqiri ka 2 avionë personal
Denoncime

U arrestua në Francë, denoncimi: Ermal Beqiri ka 2 avionë personal

Arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiri në Francë ka rikthyer përplasjet e forta politike në vend. Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër, duke ngritur akuza të rënda jo vetëm ndaj Beqirit, por edhe ndaj kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë publike, Këlliçi theksoi se biznesmeni duhet të përballet me drejtësinë për një sërë veprash të rënda, duke e lidhur drejtpërdrejt edhe me qeverinë.

“Ermal Beqiri në emër të kryeministrit ka kryer pengmarrje, shantazh, vjedhje parash dhe të dhënash personale.

Ramës dhe bandës së tij po u shtrëngohet laku. PD mbështet policinë , xhandarmërinë e forcave franceze për arrestimin e kriminelit. Por janë gjithmonë shërbimet e huaja që bëjnë arrestimin e kriminelëve shqiptarë. Beqiri nuk duhet të japë llogari për milionat e grabitura, jo vetëm për pengmarrje, por edhe për përdorimin bashkë me Edi Ramën për të dhënat e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Deputeti demokrat hodhi gjithashtu dritë mbi pasuritë e pretenduara të biznesmenit, duke deklaruar se ai disponon dy mjete ajrorë privat.

“Ermal Beqiri u arrestua teksa pilotonte avionin e tij personal që mbart logon soft solution dhe është në pronësi të kompanisë “Fly Solution” të regjistruar nga shtetasi Ermal Beqiri në Slloveni. Ka jo vetëm një por dy avionë”, tha ai.

Ndërkohë, hetimet e autoriteteve shqiptare kanë zbuluar detaje të tjera mbi pasurinë e Beqirit. Sipas prokurorëve të SPAK, pas largimit nga Shqipëria ai kishte lënë pas një jaht me vlerë rreth 1 milion euro, të quajtur “Skyfall”, të cilin e kishte kaluar formalisht në emër të një punonjëseje me pasaportë bullgare.

Arrestimi në Francë ndodhi në rrethana të pazakonta. Sipas mediave franceze, biznesmeni u ndalua pasi fluturoi në mënyrë të dyshimtë mbi një zonë shumë të ndjeshme, konkretisht mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin e Normandisë.

Raportohet se avioni po fluturonte në një lartësi prej rreth 1,200 metrash, por më pas zbriti papritur nën kufirin e lejuar, duke ngritur dyshime të forta tek autoritetet. Reagimi i forcave ajrore franceze ishte i menjëhershëm, duke dërguar një mjet ajror që e shoqëroi avionin deri në aeroportin e Albert.

Në momentin e uljes, në pistë e prisnin forcat e policisë, të cilat kryen arrestimin e pilotit. Beqiri u vendos në ndalim policor dhe pritet të përballet me procedurat ligjore në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.