Të shtënat me armë zjarri nga jahti, shoqërohen katër persona
Në bord nuk gjendet asnjë armë
Të dhëna të reja janë zbardhur lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e së dielës në zonën bregdetare të Palasës, ku u raportua për të shtëna me armë zjarri nga një jaht në lëvizje drejt Himarës. Ngjarja ka vënë në lëvizje strukturat e sigurisë, të cilat ndërhynë menjëherë për të verifikuar situatën.
Pas disa orësh ndjekje intensive nga toka dhe deti, forcat policore arritën të ndalonin mjetin lundrues në afërsi të Himarës. Në bord ndodheshin katër persona, të cilët u shoqëruan për veprime të mëtejshme procedurale.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit të ushtruar në jaht dhe ndaj personave të pranishëm, nuk u konstatuan armë apo sende të tjera të paligjshme, çka ka shtuar misterin mbi rrethanat e raportimit fillestar për të shtëna.
Policia bëri me dije se sinjalizimi për incidentin është marrë rreth orës 21:00, ku dyshohej për të shtëna në ajër nga një mjet lundrues në det të hapur, përballë Palasës. Menjëherë pas këtij njoftimi, në operacion u përfshinë Policia Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forca, efektivë të Komisariatit të Himarës dhe Dhërmiut, si dhe struktura të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit mes strukturave, u bë e mundur lokalizimi dhe ndalimi i jahtit, ndërsa katër shtetasit në bord u shoqëruan për t’u marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet procedurale, duke marrë deklarime nga personat e përfshirë dhe duke kryer ekspertiza për të përcaktuar nëse ka pasur realisht qitje dhe në çfarë kushtesh ka ndodhur ajo.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe synojnë zbardhjen e plotë të incidentit, verifikimin e çdo informacioni të marrë dhe dokumentimin ligjor të rastit. Materialet pritet t’i referohen Prokurorisë së Vlorës për vijimin e procedurave të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer espertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



