E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përzgjidhen 10 kandidatë për KLGJ e KLP, nuk ka konsensus mes opozitës dhe mazhorancës, seanca e së enjtes test për organet e drejtësisë
Lajme

Përzgjidhen 10 kandidatë për KLGJ e KLP, nuk ka konsensus mes opozitës dhe mazhorancës, seanca e së enjtes test për organet e drejtësisë

Përzgjidhen dhjetë kandidatët, të cilët do të bëhen pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Dje nënkomisioni ad hoc, pas një seance maratonë prej afro gjashtë orësh, e cila nis në orën 13:00 dhe përfundoi rreth orës 19:00, ka përzgjedhur përmes shortit emrat e kandidatët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë që do të jenë pjesë e KLP dhe KLGJ. Por gjatë kësaj mbledhje nuk ka pasur konsensus mes opozitës dhe mazhorancës, edhe pse të pranishëm ishin përfaqësues të EURALIUS dhe OPDAT. Kështu, pas hedhjes së shortit kandidatët e përzgjedhur për votim në seancë nga avokatia për KLGJ janë Arben Vani dhe Sokol Lamaj, nga trupa e pedagogëve Ilir Panda e Erion Muharremaj, ndërkohë nga shoqëria civile Altin Hazizaj. Ndërsa sa i takon kandidatëve të KLP emrat që dolën pas hedhjes së shortit janë Kozma Jano e Floreta Gjini nga avokatia, Eneida Sema e Mirela Bogdani nga trupa e pedagogëve dhe Alfred Balla nga shoqëria civile. Ndërkohë që lista me këta kandidatë do t’i përcillet kryetarit të Kuvendit dhe më pas emrat e tyre do të kalojnë në Parlament për votim. Mirëpo, përveç faktit se tanimë lista me 10 kandidatët për KLP e KLGJ është zgjedhur, seanca e së enjtes duket se do jetë një test për organet e drejtësisë. Kjo pasi miratimi i kësaj liste nga Kuvendi kërkon shumicë të cilësuar votash, ku veç votave të mazhorancës, nevojiten edhe votat e opozitës. Ndërkohë që si PD, ashtu edhe LSI, me shuma gjasa do ta rrëzojnë këtë listë, pasi qysh në ngritje të nënkomisionit ad hoc kanë shfaqur hapur rezervat e tyre për kandidatët në fjalë, por edhe për reformën në drejtësi në përgjithësi, duke e sulmuar. Gjithsesi, mbetet për tu parë ditën e enjte se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Mazhoranca përplaset me opozitën

Në seancën e djeshme nuk munguan debatet dhe akuzat mes opozitës dhe mazhorancës. Shkak është bërë deklarata e kryetarit të nënkomisionit ad hoc, Ulsi Manja, i cili deklaroi se lista e atyre që plotësojnë kushtet formale ligjore, sipas Sekretarit të Kuvendit është automatikisht e miratuar dhe se nënkomisioni mund të marrë nga lista e të skualifikuarve dhe t’i kalojë në listën e atyre që plotësojnë kushtet. Por nënkryetari i komisionit ad-hoc, Oerd Bylykbashi, ka kundërshtuar procedurat, teksa deklaroi se lista e sjellë nga Sekretari i Kuvendit bie ndesh me kërkesën e OMN-së. Madje, Bylykbashi kërkoi që përveç se të përfshihen kandidatët nga lista e skualifikuar, nënkomisioni duhet të skualifikojë disa nga kandidatët e listës fituese, pasi sipas tij, nuk përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji. “Duhet të çelim procedurë votimi për të pasur një listë sipas vlerësimit të bërë nga ONM dhe të fusim në listë kandidatët e vlerësuar nga OMN, por të larguar nga Genci padrejtësisht. Po ashtu, nënkomisioni Ad Hoc duhet të largojë nga lista e kandidatëve ata kandidatë që nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në listë. Duhet ndjekur këshilla e OMN-së”, tha ai. Në kundërpërgjigje të akuzave të Bylykbashit, anëtarja e majtë në komisionin ad hoc, Vasilika Hysi deklaroi se një e drejtë e tillë për të hequr nga lista nuk ka pasur as në rastin e listave të vetingut. “Kjo e drejtë për të hequr nga lista nuk ka qenë as në rastin e listave për vettingun. N/komisioni ka të drejtë vetëm të shtojmë, nëse do të biem dakord”, tha Hysi. Më pas fjalën e mori anëtari i LSI, Nasip Naço, i cili akuzoi mazhorancë se ka devijuar procesin dhe se kandidatët nuk plotësojnë kushtet ligjore. “Ju keni devijuar procesin. Shumica e kandidatëve për KLP e KLGJ kanë detyrime tatimore dhe nuk ka dhjetë vjet eksperiencë pune pa ndërprerje si avokat, apo pesë vjet si pedagogë”, tha ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.