E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Po na marrin tokën, fqinjët na dhunuan në sy të policisë
Denoncime

Denoncimi: Po na marrin tokën, fqinjët na dhunuan në sy të policisë

Një situatë e tensionuar pronësie në fshatin Grykësh i Madh, pjesë e njësisë administrative Pajovë në Bashkinë Peqin, ka rikthyer në vëmendje problematikat e pazgjidhura të konflikteve të tokës në zonat rurale. Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksi, një familje pretendon se prej vitesh përballet me një përplasje të vazhdueshme me fqinjët, të cilët synojnë, sipas tyre, të përvetësojnë sipërfaqe toke dhe banesën e tyre.

Kryefamiljari F.S. shprehet se konflikti me shtetasit E.S. dhe H.S. është përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pretendon se, pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme për ndërhyrje, çështja nuk ka gjetur zgjidhje. Sipas tij, pala tjetër gëzon ndikim në strukturat vendore, çka ka vështirësuar trajtimin e drejtë të konfliktit.

Familja deklaron se disa javë më parë ka ndodhur një incident i rëndë, ku djali i F.S. është dhunuar fizikisht me sende të forta dhe goditur me gurë në kokë. Sipas tyre, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga autoritetet për këtë ngjarje.

Tensionet janë rritur më tej gjatë ditës së sotme, kur, sipas denoncimit, përfaqësues të Bashkisë Peqin, policisë bashkiake dhe kryeplaku i zonës, F.S., së bashku me persona të tjerë, kanë ndërhyrë në terren për hapjen e një rruge të re në një sipërfaqe që familja e konsideron pronë të saj. Ata pretendojnë se janë vënë përballë presionit, përfshirë paralajmërimin për arrestim në rast kundërshtimi të punimeve.

Në të njëjtën kohë, familja ngre shqetësimin se gjatë kësaj ndërhyrjeje janë prerë pemë në pronën e tyre, në prani të autoriteteve vendore, çka sipas tyre përbën një tjetër dëm të drejtpërdrejtë ndaj pasurisë.

Sipas deklarimeve, familja disponon dokumentacion të rregullt pronësie dhe kërkon një verifikim të plotë nga institucionet përgjegjëse, duke përfshirë ligjshmërinë e ndërhyrjeve në terren, si dhe hetimin e pretendimeve për dhunë dhe dëmtim prone.

Deri në një reagim zyrtar nga Bashkia Peqin, Policia e Shtetit dhe personat e përmendur, të gjitha këto mbeten pretendime të palës denoncuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.