O mbret jepe dhe “BESËN” me koncension te Oligarkët
Dokumenti “BESA” është mashtrimi i radhës, i ambalazhuar bukur me propagandë dhe i servirur shqiptarëve përmes televizioneve të qeverisë si një kontratë e re morale me qytetarët.

Me një pyetje të thjeshtë menderoset skenografia:
Kush e pengoi mbretin Kryeministër t’i mbante premtimet gjatë gjithë këtyre viteve?
Opozita e Lulit apo e doktor Berishës të ripërtërirë?
Cili institucion?
Të pengoi president Baromi apo Gjykata Kushtetuese? Të pengoi Zegjine Çaushi, Sara Mile apo Ardid Bido në Parlament? Cili kryetar bashkie të pengoi të përmirësoje jetën e shqiptarëve? Me siguri kreu i Bashkisë Kukës, Albert Halili!
Prej vitesh Edi Rama ka pasur një pushtet politik që shumë kryeministra në Lindje e kanë ëndërruar. Ka kontrolluar dhe mizat e mazhorancës, qeverinë e tenderave, administratën e korrupsionit dhe pjesën dërrmuese të pushtetit vendor. Janë shpenzuar miliarda euro buxhete, taksa, borxhe, koncesione, PPP dhe fonde publike.
Po mirë, ja ta zëmë se u bënë prapë budallenj shqiptarët dhe të ndihmuan, tani që ke nevojë për një tjetër “besë”?
Kujt po ia jep këtë besë Rama? Shqiptarëve, të cilëve u ka dhënë premtime prej katër mandatesh?
Sepse shqiptarëve nuk u mungojnë dokumentet. U mungon uji.
Nuk u mungojnë sloganet dhe videot e bukura që hedh në llogaritë e rrjeteve të tua sociale. U mungojnë pensionet dinjitoze.
Nuk u mungojnë fjalimet e bukura, se i shkruan shumë bukur. U mungon arsimi cilësor.
Nuk u mungojnë videot e Evis Salajt. U mungon shëndetësia.
Dhe pikërisht shëndetësia është monumentale mes hendekut të propagandës dhe realitetit, ku ti turpërohesh botërisht!
“SHËNDETËSIA FALAS” ishte një nga premtimet më të mëdha.
Sot, pas kaq vitesh pushtet, pacienti shqiptar vazhdon të përplaset me mungesën e barnave, aparaturat që nuk funksionojnë, radhët, mungesën e specialistëve dhe kostot që rëndojnë mbi familjen pikërisht kur ajo ndodhet në momentin më të vështirë.
Mjekët dhe profesionistët e aftë janë larguar masivisht.
Pacienti endet. Familjari paguan.
Ndërsa propaganda e mbretit vazhdon të prodhojë realitete televizive.
Në vend të empatisë dhe përgjegjësisë shtetërore, qytetarët janë përballur vetëm me arrogancë, indiferencë dhe një administratë që sillet sikur qytetari ekziston për shtetin, jo shteti për qytetarin.
Dhe tani, pas katër mandatesh, mendon se mund të kullandrisesh me “BESËN”.
Besa për çfarë?
Për ujë?
Për drita?
Për pensione?
Për shkolla?
Për spitale?
Për paga?
Për një administratë që i shërben qytetarit?
Janë detyrime elementare të një qeverie.
Një superkryeministër që ka qeverisur kaq gjatë na del tani, pas 70 ditësh proteste para zyrës së tij, si një kandidat që sapo ka ardhur nga opozita, jo kjo e doktorit, por nga Marsi, dhe sapo ka zbuluar problemet e Shqipërisë.
Çfarë dreqin mund të premtosh më? Ti duhet të japësh llogari.
Pas katër mandatesh, o mbret, ke një pirg të madh premtimesh të pambajtura, aq sa janë mali i mbetjeve të Durrësit, Tiranës e Shijakut, të groposura dhe mbuluara me dheun e gropave të kullave të “Shtufit” me shokë shumë.
Sa spitale funksionojnë më mirë?
Sa shqiptarë kanë sot një pension që u garanton dinjitet?
Sa familje kanë ujë 24 orë?
Sa të rinj e shohin të ardhmen e tyre këtu?
Sa mjekë, infermierë, inxhinierë dhe profesionistë janë larguar?
Sa më shumë duhet të presë një popull që qeveria të bëjë atë për të cilën merr votën, taksat dhe pushtetin?
“BESA” nuk mund të jetë goma magjike që fshin bilancin katastrofik të katër mandateve që na qeverise me premtimet e vjetra.
Ti, mbreti që shpall të ardhmen tënde gjithmonë pasi të rëndon e shkuara.
Nuk mund të kërkosh besim të ri pa dhënë llogari për besimin e vjetër.
Qeverisja nuk matet me llogje Kavaje, as me regjinë televizive, as me slogane apo me numrin e kamerave të medias së blerë.
Qeverisja matet te rubineti i qytetarit. Te pensioni i të moshuarit. Te banka e shkollës. Te krevati i spitalit.
Te ilaçi që duhet të gjendet kur njeriu lufton për jetën.
Aty mbaron propaganda, o mbret.
Aty fillon shteti.
Dhe pas kaq vitesh pushtet, pyetja nuk është më se çfarë premton Edi Rama për nesër.
Pyetja është sy më sy:
ÇFARË BËRE ME TË GJITHA VITET QË SHQIPTARËT TË DHANË DERI SOT?
Sepse “besa” as nuk hahet, as nuk pihet! Ndaj mendo ta japësh “BESËN” me koncension tek Oligarkët që kontrollojnë ekonominë, bashkë me interesaxhinjtë dhe lobet që i ushqen me copa Shqipërie.
Tung, mbret! Ndaj edhe në det pushuesit ta këndojnë këngën: “Rama, jep dorëheqjeeeen”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



