“Tori i Xhihanes” godet të burgosurin nga Kosova
Sherr në burgun 302 në Tiranë, Viktor Ymeri godet me shuplakë të burgosurin nga Kosova
Një incident është regjistruar në ambientet e burgut 302 “Mine Peza” në Tiranë, ku i dënuari Viktor Ymeri, i njohur ndryshe si “Tori i Xhihanes”, është përfshirë në një përplasje fizike me një tjetër të burgosur me origjinë nga Kosova.
Sipas burimeve, shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë zhurma në ambientet e dhomës. Mësohet se Ymeri i ka kërkuar të burgosurit tjetër të ulte zërin, pasi po i prishte qetësinë gjatë pushimit. Mosreagimi ndaj kësaj kërkese ka sjellë tensionim të situatës, e cila ka degjeneruar në kontakt fizik.
Në kulmin e përplasjes, Ymeri dyshohet se ka goditur me shuplakë të burgosurin tjetër. Ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve të policisë së burgut ka bërë të mundur neutralizimin e situatës, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Ngjarja në burgun 302 vjen vetëm pak ditë pas një incidenti tjetër të rëndë në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier, ku mbetën të plagosur dy të dënuar, duke rikthyer vëmendjen te siguria dhe menaxhimi i situatave brenda burgjeve në vend.
Kush është Viktor Ymeri?
Viktor Ymeri është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i lidhur me disa ngjarje të rënda kriminale ndër vite. Ai njihet edhe për lidhjet familjare me Edison Harizajn, i njohur si “Faqedjeguri”, i cili u ekzekutua në një atentat në Durrës në vitin 2018.
Ymeri u lirua nga burgu në vitin 2019, pasi kishte kryer një pjesë të gjatë të dënimit për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, krime për të cilat ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm dhe qëndroi në qeli që nga viti 1999.
Megjithatë, në dhjetor të vitit 2020 ai u rikthye pas hekurave, pas rihapjes së hetimeve nga SPAK për vrasjet e bujshme të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhura në vitin 2005.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



