Kontrolle në burgun e Fierit, gjendet iPhone në qelinë e të dënuarit
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë një aksion kontrolli në ambientet e burgut të Fierit, në kuadër të forcimit të masave të sigurisë dhe parandalimit të futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë zhvilluar nga Grupi i Sigurisë, nën drejtimin e drejtuesit të institucionit, duke u përqendruar në godinën B, konkretisht në sektorët 1 dhe 2. Gjatë verifikimeve, tek një i dënuar me inicialet L.K. është gjetur dhe sekuestruar një telefon celular i tipit “iPhone”.
Për këtë rast është hartuar raport incidenti, ndërsa i dënuari është dërguar në regjimin e veçimit. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar strukturave përkatëse për vijimin e veprimeve ligjore.
Kontrollet e tilla janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të rritur nivelin e sigurisë në burgje dhe për të parandaluar komunikimet e paligjshme apo aktivitetet që mund të cenojnë rendin dhe disiplinën brenda tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



