E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Çfarë tersi”! Kushtetuesja rrëzon njërin nga grabitësit të milionave në Rinas
Lajme

“Çfarë tersi”! Kushtetuesja rrëzon njërin nga grabitësit të milionave në Rinas

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin përmes të cilit ka rrëzuar ankesën e Saimir Çelës, një prej personave të dënuar për grabitjen spektakolare të 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit.

Çela kishte kundërshtuar vendimin e gjykatave, duke pretenduar se një prej elementeve të përdorura ndaj tij si provë ishte një fjali e thënë në ambientet e paraburgimit: “Çfarë tersi, e dija”.

Bëhet fjalë për një reagim të regjistruar gjatë një përgjimi ambiental në ditën kur Çela u arrestua. Ai kishte zhvilluar një bisedë me të arrestuarin tjetër, Renaldo Sulaj, ndërsa ndodheshin në ambientet e paraburgimit.

Gjykata Kushtetuese, duke vendosur të mos e kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, vlerëson se kjo bisedë nuk mund të shkëputet nga pjesa tjetër e provave të administruara në dosje.

Sipas Kushtetueses, reagimi i Çelës tregon se ai dhe Sulaj kishin dijeni për arsyen e arrestimit të tyre. Pra, fjalia “Çfarë tersi, e dija” nuk është trajtuar si një provë e vetme mbi të cilën është mbështetur dënimi, por si një element që vlerësohet në raport me të gjithë materialin e çështjes.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese i referohet edhe një numri të konsiderueshëm komunikimesh telefonike. Sipas vendimit, Çela kishte kryer 508 telefonata me dy prej personave të tjerë të përfshirë në grabitjen e vitit 2019.

Një tjetër element i rëndësishëm është dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili ka përshkruar mënyrën se si, sipas tij, ishte organizuar plani kriminal.

Nga rrëfimi i Bengasit rezulton se përgatitjet kishin nisur përmes takimeve të shpeshta dhe vëzhgimit të lëvizjeve të dërgesave monetare. Grupi kishte studiuar mënyrën se si transportoheshin paratë dhe kishte ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e grabitjes.

Në kuadër të përgatitjeve, sipas dëshmisë, u përshtatën edhe automjetet që do të përdoreshin gjatë aksionit. Në to u vendosën shenja që të krijohej përshtypja se bëhej fjalë për mjete të “hetimit tatimor”, ndërsa u siguruan edhe pajisje që do të përdoreshin për hapjen e dyerve të emergjencës në aeroport.

Pjesë e përgatitjeve ishte edhe sigurimi i armëve të përdorura nga grupi i grabitësve, i cili drejtohej nga Admir Murati. Ky i fundit u vra gjatë ndjekjes pas grabitjes.

Vendimi i Kushtetueses vjen në një dosje ku gjykatat kanë dhënë në total 122 vite burgim për personat e dënuar për grabitjen e miliona eurove në Rinas.

Përveç Saimir Çelës, në Gjykatën Kushtetuese janë drejtuar edhe vëllezërit Klement Çala dhe Eldi Çala, të cilët kanë kundërshtuar vendimet e dhëna ndaj tyre.

Ndërkohë, në një proces të veçuar, Talo Çela është dënuar me 18 vite burgim për përfshirjen e tij në ngjarje.

Grabitja e Rinasit vijon të mbetet një prej episodeve kriminale më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri. Përmasat e operacionit, mënyra e organizimit dhe shuma e madhe e parave të grabitura kanë bërë që hetimi të mos kufizohet vetëm te autorët e drejtpërdrejtë të aksionit.

Edhe pas vendimeve gjyqësore dhe dënimeve të dhëna, autoritetet vijojnë të hetojnë nëse grabitja e 4.6 milionë eurove ka prodhuar pasoja të tjera kriminale.

Dyshimet e hetuesve lidhen edhe me ngjarje të tjera të rënda, përfshirë vrasje, që mund të kenë pasur lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me grabitjen dhe personat e përfshirë në të.

Kështu, ndërsa beteja ligjore e të dënuarve vijon në gjykata, dosja e grabitjes së Rinasit mbetet ende e hapur në aspektin e pyetjeve që autoritetet kërkojnë t’u japin përgjigje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.