E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Jashtë kontrollit zjarri në Lurë, mbi 300 hektarë pyje të djegura
Lajme

Jashtë kontrollit zjarri në Lurë, mbi 300 hektarë pyje të djegura

Një situatë e rëndë vijon të paraqitet në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ku prej katër ditësh një vatër zjarri po përhapet në sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe kullota.

Sipas të dhënave të raportuara deri tani, flakët kanë përshkuar më shumë se 300 hektarë pyje me bredh dhe kullota, ndërsa përpjekjet e forcave në terren dhe ndërhyrjet nga ajri ende nuk kanë mundur ta vënë situatën nën kontroll të plotë.

Zjarri ka prekur zonën e kurorës së Lurës, duke u shtrirë nga Borje-Lura në drejtim të majës së Runjës dhe Livadheve të Stafës. Ndërkohë, flakët po avancojnë edhe drejt Lanë-Lurës, duke shtuar shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të vatrës në një prej zonave më të rëndësishme pyjore të Dibrës.

Për përballimin e situatës janë angazhuar më shumë se 250 persona. Në operacion marrin pjesë punonjës të Bashkisë, strukturat e emergjencave civile dhe shërbimet zjarrfikëse, ndërsa në terren janë dislokuar edhe rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura.

Ndërhyrja është mbështetur edhe nga ajri gjatë tri ditëve të fundit. Në operacion janë përdorur dy avionë dhe dy helikopterë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të izoluar vatrat më problematike.

Megjithatë, pavarësisht angazhimit të forcave tokësore dhe mjeteve ajrore, zjarri vijon të jetë aktiv. Deri në këto momente nuk është arritur shuarja e plotë e flakëve, ndërsa situata mbetet nën monitorim dhe operacionet për izolimin e vatrës vazhdojnë.

Prekja e qindra hektarëve pyje dhe kullota e bën situatën veçanërisht shqetësuese për Parkun Kombëtar të Lurës, një zonë me rëndësi të veçantë natyrore dhe biodiversitet të pasur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.