Celibashi u jep dritën jeshile “Flamingove” për firmat për referendum
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën e grupit nismëtar të “Revolucionit të Flamingove” për nisjen e procedurave për një referendum të përgjithshëm, që synon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura”.
Kërkesa u shqyrtua në një seancë publike të KQZ-së, ku grupi nismëtar kërkoi pajisjen me fletët tip për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve në mbështetje të referendumit.
Në emër të 12 nismëtarëve, juristi Dhimitër Zguro paraqiti argumentet që, sipas grupit, kanë çuar në ndërmarrjen e kësaj nisme qytetare.
Zguro deklaroi se ligji i miratuar për zonat e mbrojtura krijon, sipas tij, rrezik për trashëgiminë natyrore dhe habitatet, pasi lejon zhvillimin e infrastrukturës turistike pa kritere të mjaftueshme mbrojtëse.
“Kjo kërkesë vjen si pasojë e vetëdijes për rrezikun që i kanoset trashëgimisë dhe habitateve natyrore nga ky ligj, i cili lejon ndërtimin e infrastrukturës së turizmit të ekselencës pa asnjë lloj kriteri”, u shpreh Zguro.
Juristi pretendoi gjithashtu se ndryshimet ligjore bien ndesh me direktivat e Bashkimit Evropian, Konventën e Bernës, Konventën e Ramsarit dhe akte të tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria.
Sipas tij, edhe vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese nuk ka sjellë shfuqizimin e ligjit, ndërsa grupi nismëtar e konsideron këtë çështje të lidhur edhe me detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Zguro e cilësoi shfuqizimin e ligjit si një prej çështjeve që, sipas tij, lidhet me përmbushjen e kritereve për kapitullin 27 të negociatave me Bashkimin Evropian.
KQZ përcakton afatin për mbledhjen e firmave
Gjatë seancës u diskutua edhe kohëzgjatja e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve.
Juristi i grupit nismëtar kërkoi që periudha të ishte gjashtë muaj, duke marrë në konsideratë edhe ndalimin ligjor për mbledhjen dhe depozitimin e nënshkrimeve gjatë muajit dhjetor.
“Duke mbajtur në konsideratë se periudha e dhjetorit është kohë e ndaluar për mbledhjen apo depozitimin e nënshkrimeve sipas Kodit Zgjedhor, ne vlerësojmë se një periudhë prej gjashtë muajsh (duke përjashtuar muajin e ndalimit) do të ishte e mjaftueshme”, deklaroi Zguro.
Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, konfirmoi se kërkesa plotëson kushtet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe njoftoi miratimin e saj.
Sipas Celibashit, grupi nismëtar do të pajiset me fletët tip për mbledhjen e nënshkrimeve, ndërsa afati i përcaktuar për këtë proces do të jetë deri më 31 mars 2027.
“Ne e vlerësojmë këtë kërkesë në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe do t’ju pajisim me fletët tip për mbledhjen e nënshkrimeve. Periudha e mbledhjes së nënshkrimeve do të jetë deri më 31 mars të vitit 2027, duke filluar nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, deklaroi Celibashi.
Kreu i KQZ-së sqaroi se procesi do të pezullohet gjatë gjithë muajit dhjetor të këtij viti, në përputhje me kufizimet e përcaktuara në legjislacionin zgjedhor.
“Procesi do të pezullohet për periudhën kohore nga 1 dhjetori deri më 31 dhjetor 2026, sipas parashikimeve ligjore. Pasi t’i mblidhni, do t’i depozitoni të gjitha në KQZ për vlerësimin e procesit”, u shpreh Celibashi.
12 qytetarët pas nismës për referendumin
Pas vendimit të KQZ-së, grupi nismëtar pritet të nisë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve në të gjithë vendin, me synimin për të çuar përpara kërkesën për referendum.
Nisma është ndërmarrë nga 12 shtetas shqiptarë me të drejtë vote: Besjana Guri, Blendi Salaj, Ersid Domnori, Gentiana Kaplani, Gëzim Shuli, Irini Myftaraj, Joniada Gjelo, Lazion Petri, Mateo Yskollari, Migena Kukli, Olti Dërvishi dhe Rikaldo Çelaj.
Referendumi i propozuar synon shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në legjislacionin për zonat e mbrojtura, ndërsa nismëtarët do të duhet të mbledhin numrin e kërkuar të nënshkrimeve për të vijuar me hapat e mëtejshëm të procedurës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



